KORÇË- Një 70-vjeçare është gjetur e pajetë në banesën e saj. Sipas informacioneve paraprake, mësohet se e moshuara jetonte e vetëm në një pallat në lagjen nr 17.
Ka qenë fqinja e saj që ka lajmëruar policinë pasi prej disa ditësh nuk e kishte parë të moshuarën.
Dyshohet që e moshuara të ketë disa ditë që ka ndërruar jetë, ndërsa nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune. Gjithashtu, pritet që trupi ti nënshtrohet ekspertizës mjeko ligjore për të zbardhur shkakun e vdekjes. Fqinjët kanë treguar për ABC News se ishin shqetësuar sepse nuk kishin pasur asnjë komunikim prej ditësh.
“U shqetësuam se nuk e kishim parë dhe hymë në shtëpi disa fqinjë. E pamë që kishte ndërruar jetë. Ajo jetonte vetëm, djalin e kishte në burg, bashkëshorti kishte ndërruar jetë dhe nuk kishte njeri tjetër këtu. Një motër e kishte në Tiranë, por ajo vinte rrallë ta shihte. Kishte probleme shëndetësore pasi disa kohë më parë ishte rrëzuar nga kati 4 dhe nuk dilte dot nga shtëpia. Jetonte në kushte të vështira”, ka thënë fqinja.

