Carles Puyol ka luajtur e fituar shumë “El Clasico” në karrierën e tij. Ish-kapiteni i njohur i klubit katalanas po e pret me padurim sfidën e mbrëmjes së sotme (20:00), njësoj si të gjithë tifozët e lojës më të bukur me top.
Në një prononcim për Mundo Deportivo, 41-vjeçari tenton të parashikojë lojtarin që do bëjë diferencën dhe ai është Ansu Fati. Talenti 17-vjeçar ka debutuar këtë sezon me ekipin e parë dhe ia ka dalë të shënojë 3 gola mes kampionatit dhe Champions League.
“Mendoj se mund të bëjë diferencën, sa herë që është aktivizuar e ka treguar potencialin e tij. ‘El Clasico’ është gjithmonë një ndeshje unike dhe speciale, por jam i bindur që Fati do të bëjë mirë, gjithmonë nëse zbret në fushën e blertë.
Ka qenë pjesë e moshave prej vitesh, ia njohim mirë cilësitë që ka. Nuk i dihet kurrë se si mund të përgjigjet një talent kur luan me ekipin e parë, por Fati është përshtatur me një lehtësi ekstreme. Tani duhet të menaxhohet pa presion. Nëse klubi ia del ta bëjë diçka të tillë, do të ketë fituar një lojtar të jashtëzakonshëm për vitet e ardhshme“, përfundon Puyol. /abcnews.al