Vëzhgim/ Nxënësit mësim me turne, 30 shkolla të dëmtuara në Durrës

schedule10:10 - 9 Dhjetor, 2019

schedule 10:10 - 9 Dhjetor, 2019

Gati dy javë pas tërmetit te 26 nëntorit, sot iu rikthyen mësimit edhe nxënësit në Tiranë, Durrës, Vorë dhe Kurbin. Procesi mësimor në këto qytete nisi në të gjitha shkollat nëntë vjeçare dhe të mesme.

Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, 30 shkolla në qarkun e Durrësit u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.

Nxënësit e shkollave që pësuan dëmtime dhe që kanë dalë jashtë funksionit, vijojnë mësimin në shkolla të tjera pritëse, ku do të punohet me turne.

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se ka marrë masa që nxënësit e shkollave të dëmtuara apo të shembura nga tërmeti të zhvillojnë mësimin në shkollat më të afërta, ndërsa janë marrë masa edhe për transportin e tyre.

Plani mësimor i parealizuar gjatë këtyre ditëve të ndërprerjes së mësimit, sipas Ministrisë së Arsimit, do të zëvendësohet sipas një kalendari të përcaktuar nga zyrat vendore arsimore.

Ndërkohë në shkollën “Bajram Curri” në Durrës ka rinisur procesi mësimor pas një ndërprerje për shkak të tërmetit që goditi vendin. Shkolla “Bajram Curri” është një nga ndërtesat e vlerësuar si e padëmtuar nga tërmeti, raporton për abcnews.al gazetari Andi Qosja.

Në shkollën 9-vjeçare janë rreth 9 mijë nxënës të cilët nisin procesin mësimor.

Nxënësit tregojnë se ndjehen të gëzuar që janë rikthyer sërish në shkollë.

Ndërkohë përbri me shkollën është edhe gjimnazi i cili ka rifilluar procesin mësimor. Pas një ndalese gati 2 javore të procesit mësimor tashmë ka rifilluar dhe pritet që të merret vendimi nëse ditët e munguara do të zëvendësohen në vazhdim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!