Reshjet intensive të shiut kanë përfshirë Durrësin që në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar prezencë uji në disa rrugë të qytetit dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
Problematikat janë evidentuar në lagjen nr. 1, në zonën e Vollgës, si dhe në Shkozet dhe lagjen nr. 18. Pamjet e filmuara në zonën e Vollgës tregojnë praninë e ujit në rrugë, ndërsa reshjet vijojnë të mbajnë në vëmendje situatën në qytetin bregdetar.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, reshjet intensive në qarkun e Durrësit pritet të vijojnë edhe gjatë ditës së sotme. Autoritetet paralajmërojnë se ato mund të shkaktojnë vërshime uji në zonat urbane dhe përmbytje lokale.
Vijimi i reshjeve ngre shqetësime për përkeqësimin e situatës, veçanërisht në zonat ku është raportuar grumbullim uji. Ndërkohë, qarkullimi në akset problematike kërkon kujdes të shtuar nga drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët./abcnews.al


