Panamaja është goditur nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 të shkallës Rihter, duke shkaktuar dëme në ndërtesa dhe panik te banorët. Rreth 4.6 milionë njerëz kanë ndier lëkundjet e forta, ndërsa, fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për viktima.
Pamjet nga disa zona të prekura tregojnë dëme të konsiderueshme në banesa, ndërtesa publike dhe infrastrukturë. Mes dëmeve më të dukshme është shembja e një pjese të Katedrales historike të Shën Gjon Pagëzorit, të ndërtuar në vitin 1581.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, epiqendra e tërmetit ishte pranë provinces Herrera. Lëkundjet u ndien në një pjesë të gjerë të vendit, përfshirë kryeqytetin, ku shumë qytetarë u larguan nga ndërtesat dhe dolën në rrugë e në parqe, nga frika e shembjeve të mundshme.
Përveç dëmeve materiale, ndërprerje të energjisë elektrike janë regjistruar në gjashtë provinca, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë kontrollet për të vlerësuar situatën dhe për të garantuar sigurinë e banorëve.
Presidenti i Panamasë, José Raúl Mulino, bëri të ditur se institucionet shtetërore janë mobilizuar për t’iu përgjigjur situatës, duke u bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë.
Pas lëkundjeve, u lëshuan fillimisht paralajmërime për cunami për 11 vende të rajonit, por ato u hoqën më pas, pasi autoritetet amerikane konfirmuan se nuk kishte rrezik për cunami. Ndërkohë, Kanali i Panamasë që lidh Oqeanin Atlantik me Oqeanin Paqësor, nuk është prekur nga tërmeti dhe vijon funksionimin normal.


