Tiranë, atentat me armë dy të rinjve/Një i vdekur, 1 i plagosur

schedule08:31 - 15 Janar, 2018

schedule 08:31 - 15 Janar, 2018

Dy të rinj u qëlluan me armë zjarri mbremjen e djeshme në Tirane, në një atentat ku njëri prej tyre humbi jetën. Ngjarja ka ndodhur për motive ende të paqarta, ndërsa policia po punon për identifikimin e autorëve të krimit.

Një atentat me armë zjarri ndodhi mbrëmjen e së dielës ndaj dy të rinjve në Tiranë, ku një mbeti i vdekur e tjetri u plagos në shpatull.

Sipas policisë viktim e këtij atentati mafioz ishte Emiliano Boçi, 32 vjeç, ndërsa i plagosur mbeti shoku i tij 27 vjeçar Melvin Disha.

Dy të rinjtë sipas burimeve policore, sapo kishin dalë nga një lokal ku kishin drekuar, kur janë qëlluar nga persona ende të paidentifikuar. Dyshohet që arma e përdorur të ketë qenë me silenciator.

Ende mbetet për t’u saktësuar se kush ka qenë shënjestër e atentatit si dhe motivet e rrethanat në të cilat ai ka ndodhur.

Emiliano Boçi ishte një emër i njohur për uniformat blu. Në vitin 2010 ndaj tij ishte bërë një atentat në zonën e Selitës, ku mbeti i plagosur rëndë, ndërkohë që edhe ai ka qenë i armatosur.

Por edhe personi i cili mbeti i plagosur, Melvin Disha, sipas burimeve ishte kthyer nga Gjermania vetëm pak ditë më parë. Policia e Tiranës po heton në dy pista, e para lidhet me të kaluaren e viktimës Boçi, ndërsa pista e dytë mund të jetë aktiviteti që mund të ketë kryer në Gjermani 27 vjeçari Disha.

Menjëherë pas krimit të rëndë uniformat blu ngritën postblloqe në pika të ndryshme të hyrjes dhe daljes në kryeqytet. Për ngjarjen u shoqëruan në drejtorinë e policisë së Tiranes 7 persona si dhe janë sekuestruar pamjet e disa kamerave të sigurisë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e autorëve.

Dyshohet se atentatori mund të jete larguar nga vendngjarja, në këmbë, përmes rrugicave të lagjes, i ndihmuar edhe nga errësira në kohën kur ka ndodhur atentati./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!