Festa e Krishtlindjes, mesha në Kishat dhe Katedralet e vendit

schedule10:18 - 25 Dhjetor, 2024

schedule 10:18 - 25 Dhjetor, 2024

Besimtarët e krishterë pritën lindjen e Krishtit edhe në rrethe. Meshat e besimtarëve katolikë u mbajtën që në mesnatë, ndërsa ortodoksët u lutën në mëngjes me mesazhin e përbashkët për paqe, dashuri dhe bashkim, frymëzuar nga jeta dhe përulësia e Krishtit.

Në Korçë mesha e Krishtlindjes u mbajt nga Mitropoliti i Korçës Imzot Johani. Duke uruar lindjen e Krishtit, ai ka theksuar se bota e sotme po përballet me kriza të shumta ekonomike, konflikte dhe varfëri ndaj sot më shumë se kurrë është i nevojshëm rigjallërimi i jetës shpirtërore.

Mesha e Shenjtë në Shkodër u udhëhoq nga Arqipeshkvi Angelo Massafra, i cili këtë vit celebron Krishtlindjen e fundit në detyrën e tij si udhëheqës i komunitetit katolik në kete dioqezë. Përpara besimtarëve, ai theksoi rëndësinë e Jezusit si model për çdo besimtar në botë. Ai gjithashtu u ndal te sfidat dhe problemet sociale që përballon vendi ynë, duke u bërë thirrje besimtarëve për më shumë angazhim në ndihmë të atyre që janë në nevojë.

Në Lezhë mbrëmjen e Vigjiljes së Krishtlindjes në Katedralen e Shën Nikollës e celebroi Padër Otavio Vitale. Ipeshkvi i Lezhës përcolli një mesazh të fuqishëm për solidaritet dhe humanizëm. Ai bëri thirrje për t’u qëndruar pranë të varfërve, për t’i ndihmuar ata dhe për t’u dhënë shpresë në momentet më të vështira.

Në Fier, Kisha e Shën Gjergjit ka pritur qindra besimtarë të cilët kanë ndjekur meshën e mbajtur me këtë rast për lindjen e Jezu Krishtit, birit të perëndisë.

Në Gjirokastër në katedralen e Hyjlindëses qindra besimtarë ortodoksë pritën lindjen e Krishtit.  Ata u lutën për shëndetin dhe për familjen, për qetësi dhe mbarësi. Edhe besimtarët pritën edhe në Vlorë festuan Krishtlindjet. Mesha u mbajt në kishën e Shën Theodhorit nga At Kostandini, për t’ja lënë vendin urimeve mes besimtarëve më pas në këtë ditë të shenjtë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!