Në konferencën e parë të kryetarëve për vitin 2018, që i prin seancës së 15 janarit, opozita e nisi aty ku përballja parlamentare ishte në ndërprerë. Demokratët kërkuan dorëheqjen e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, me arsyetimin se lejoi atë që për blutë konsiderohet një puç kushtetues që i lejoi Kryeministrit Rama kapjen e organit të Akuzës.
Duke iu referuar zgjedhjes së Arta Markut si kryeprokurore e përkohshme më 18 dhjetor, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, ka theksuar gjatë konferencës së kryetarëve se pasuesi i Adriatik Llallës duhej të zgjidhej me 3/5 e votave, si propozim nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe pasi të kishte kaluar vettingun.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura, homologu i tij i PS-së, Taulant Balla, mësohet se i ka sugjeruar Spahos që siç është edhe përcaktuar në Kushtetutë, 28 deputetë mund t’I kërkojnë interpretim Gjykatës Kushtetuese në lidhje me vendimet e Parlamentit, kur nuk bien dakort me to.
Ky qëndrim i mazhorancës ka bërë që opozita të dilte nga mbledhja pa pritur përfundimin e saj.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, pohoi se, ndonëse në mungesë të opozitës, Konferenca e Kryetarëve diskutoi për implementimin e reformës në drejtësi dhe ngritjen e institucioneve të reja.
Sa i përket kërkesës së opozitës për largimin e Ruçit, numri dy i PS-së tregoi se mazhoranca nuk dëgjonte nga ai vesh./abcnews.al