Ibri, Kurti “flet” me heshtje/ Analisti: SHBA ia ka futur ‘të dyja këmbët në një këpucë’

schedule17:39 - 27 Gusht, 2024

schedule 17:39 - 27 Gusht, 2024

TIRANË- Vizita e shefit të CIA-s William Burns në Kosovë duket se i ka dhënë efektet e veta,të paktën kjo reflektohet në qëndrimet politike të palës në pushtet. Albin Kurti dhe qeveria e tij kanë harruar të flasin më për hapjen e Urës së Ibrit.

Gazetari dhe analisti Artur Nura, i ftuar në “News Line”ABC News, përdori një metaforë duke përshkruar lëvizjen e fundit të SHBA, që sipas tij duket që “Albin Kurtit ia kanë futur të dyja këmbët në një këpucë”.

Ai theksoi se vizita e Burns ka “shfryrë” kapriçot politike të kryeministrit të Kosovës, i cili përkundër thirrjeve të ambasadorit amerikan në Prishtinë, theksonte se hapja e Urës së Ibrit është thjesht çështje kohe.

Sipas Nurës, shefi i CIA-s mund t’i ketë ofruar në tavolinë të dhëna shtesë duke i treguar pasojat që do prodhonte hapja e Urës së Ibrit, pa u koordinuar me aleatët.

“Ia kanë futur të dyja këmbët në një këpucë. Kjo metaforë qëndron. Takimet e këtyre niveleve kanë një protokoll të mbyllur, madje nuk komentohen fare. Drejtuesi i shërbimit sekret amerikan, padyshim do ketë folur edhe me të dhëna dhe e ka kthjelluar politikanin Kurti, për përgjegjësitë që merr, duke e vënë në dijeni për rreziqet që mund të ndodhnin me hapjen e Urës së Ibrit”, tha ai.

Ai theksoi se vizita e shefit të CIA-s në Bosnjës Hercegovinë, Serbia dhe së fundmi në Kosovë, tregon se kjo zonë e Ballkanit vijon të mbetet një potencial për një shpërthim të mundshëm të konflikteve ushtarake.

“Vizita i shefit të CIA është jo rastësore në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë, por jo në Shqipëri. Ka shkuar në Kosovë se ka mundësi për një konflikt ushtarak. Mospërmendja e Urës së Ibrit, pra qëndrimet e tij u zëruan, sepse Kurti mori leksionin e politikanit dhe atij iu bënë të qarta se pse duhet dëgjuar ambasadori i një shteti aleat”, theksoi ai.

Më tej, analisti shtoi se SHBA me shumë gjasë ia ka bërë të qartë Albin Kurtit se nëse vepron në mënyrë të njëanshme për hapjen e Urës së Ibrit, nuk do të konsiderohet me si një aleat i Amerikës.

“Në raste se vepron ndryshe, nuk do jesh aleat i ynë. Nuk do të ishte Kosova e pavarura pa ndërhyrjen e SHBA dhe Britanisë së Madhe. Sovraniteti është një term i moderuar tashmë. Ka marrë leksionin e duhur dhe besoj tani do kemi një Albin tjetër”, u shpreh ai./abcnews.al