Pogradeci po kalon një moment të mirë. Liqenorët në pesë ndeshjet e fundit kanë marrë 13 pikë, duke regjistruar katër radhazi në ndeshjet e fundit. Tashmë ata renditen në vendin e dytë, me dy pikë më pak se Lushnja kryesuese. Trajneri Ardjan Abazaj, i rikthyer te Pogradeci, ka dhënë një intervistë për “Albeu.com” dhe fillimisht tregon pse u rikthye.
“Dëshira për të kontribuar për qytetin tim dhe për ta ngritur këtë ekip atje ku i takon ishte arsyeja e rikthimit tim te Pogradeci”, është shprehur fillimisht Abazaj, i cili i druhet vetëm euforisë në vazhdim. “Nuk i trembemi askujt, përveç euforisë së momentit”, shton trajneri i Pogradecit.
Sigurisht, për një ecuri të mirë duhet edhe përkrahje: “Mbështetja e Bashkisë ndaj këtij ekipi ka qenë maksimale, si në anën financiare, ashtu edhe për kushtet e ofruara për stërvitje”. Nëse Pogradeci do të futet në merkato, duhet pritur janari: “Të shohim vazhdimësinë në këto ndeshjet e mbetura dhe do ulemi të flasim me presidentin për ecurinë”.
Kur pyetet për objektivin Superiore, Abazaj thotë: “Po i marrim ndeshjet një nga një, duke i bërë vlerësimin që i takon ndeshjes së radhës”. Sa i takon një moduli të preferuar, trajneri i liqenorëve shmanget. “Për punën e sistemit të lojës është më mirë të mos flas, pasi e ndryshoj në varësi të kundërshtarit, si brenda dhe jashtë fushe”.
Turbina është rivali i radhës për Pogradecin dhe Abazaj thotë: “Për ne është një ndeshje e radhës dhe do bëjmë më të mirën për të marrë një rezultat pozitiv”. Si çdo trajner, apo futbollit, Abazaj ka një ëndërr: të drejtojë Tiranën, klub ku ka luajtur vetë dhe tashmë bën pjesë edhe djali i tij, Marini.
“Favoriti për titullin kampion? Tirana, për një arsye. Kam veshur për një sezon atë bluzë dhe dëshira time është që një ditë ta drejtoj atë ekip”, përfundon Abazaj, i cili pret nga mbështetje nga tifozët e Pogradecit që ekipi i tyre të luftojë deri në fund për rikthimin në elitë. /abcnews.al

