Është vetëm fillimi i sezonit dhe për këtë arsye është e tepërt të flasësh për krizë. Por sinjalet në dy javët e para të Kategorisë Superiore nuk janë aspak shpresdhënëse për dy gjigandët e futbollit shqiptar, Tirana dhe Partizani.
Rivalë të përjetshëm, por të bashkuar nga i njëjti problem në ndeshjet e para të edicionit 2026/2027.
Bardheblutë e kryeqytetit nuk po marrin frytet e revolucionit të radhës në merkato, ndërsa kanë regjistruar dy hymbje. Tirana është e vetmja skuadër pa asnjë pikë dhe mbyll klasifikimin e përgjithshëm.
Në klub, tifozët, por edhe vetë trajneri kroat Dean Klafuriç nuk e kishte menduar një nisje të tillë, ndërsa duhet të gjejë shpejt zgjidhje, duke nisur nga sfida e së dielës, në shtëpi kundër Vorës. Në këtë mision, rekormenët e titujve në Shqipëri nuk do të kenë ndihmën e tifozëve, pasi duhet të vuajnë dënimin e marrë në fund të sezonit të shkuar me dy ndeshje pa spektatorë.
Këtë problem nuk e ka Partizani, por të kuqtë gjithsesi duhet të marrin fitoren e parë.
Në dy ndeshjet e parë, skuadra e drejtuar nga Florin Batu e nisi sezonin me një barazim, por humbja e fundit kundër Laçit ishte një goditje e rëndë.
Po ashtu, Partizani duhet të gjejë zgjidhje edhe për kartonët e kuq, dy të tillë në vetëm dy ndeshje, që kanë ndikuar edhe një rezultat.
Por tri pikët nuk do të jenë të lehta, pasi të kuqtë do të luajnë në transfertë kundër Vllaznisë. Shkodranët janë në një moment të vështirë pas dënimeve të disiplinës që pezulloi për shumë javë trajnerin Martini dhe presidentin Xhaferi. Ky detaj është një motiv më shumë, që ka shijen e një revanshi për Vllazninë.
Java e tretë e Kategorisë Superiore sjell edhe sfida të tjera të rëndësishme, që mund të tregojnë shumë për vazhdimësinë e të gjithë sezonit.

