Suksesin e parë e arritën, e madje të thellë. Tirana u duk skuadër e madhe në ndeshjen e javës së tretë të Superligës, pas triumfit 4-0 ndaj Vorës në “Selman Stërmasi”, krejt ndryshe nga ndeshjet e kaluara, ndërsa edhe miqtë u dhanë një dorë me lojën e tyre të dobët.
Gjithçka u mbyll që në pjesën e parë, me epërsi të theksuar të rekordmenëve të titujve, që shënuan që në 14’ me autor Kish, e pastaj në 36’ dyfishoi shifrat Xhixha.
Pas pushimit, protagonisti ishte Hazrollaj me dy rrjeta në minutat 51 e 80.
Fitorja mezi pritej për të besuarit e trajnerit kroat Klafuriç dhe padyshim do të ketë ndikim të rëndësishëm në javët në vijin, ndërsa bardheblutë po luajnë pak a shumë me lojtarët kryesorë, që ende kanë nevojë të përshtaten me njëri-tjetrin.
Vora e teknikut Arian Bellai këtë herë nuk ishte kundërshtar I denjë, edhe pse mundi Dinamon në javën e parë të kampionatit.
Vetë Bellaj u ankua për angazhimin e të vetëve, duke thënë se ata po ecnin dhe nuk po vraponin.
Tekniku ndërhyri pas pushimit duke hequr tre ndër lojtarët kryesorë si Karrica, Barjamaj dhe Gjyla, e duke I zëvendësuar me më të rinj.
Edhe pas këtij suksesi, Tirana nuk është se është larguar nga vendet e fundit të Superligës sepse ka vetëm tri pikë, po aq sa Vora, tepër larg ekipeve të para si Egnatia apo Teuta.

