Champions League/ Mbappe kërkon “hakmarrje” ndaj “Katalanasve”, Atletico gati për “ferrin” e Dortmund

schedule11:16 - 16 Prill, 2024

schedule 11:16 - 16 Prill, 2024

Mbrëmjen e kësaj të marte rikthehet magjia e UEFA Champions League, me fazën çerekfinale të këtij kompeticionit, që do të çelë siparin e xhiros së dytë, që do të vendosë edhe çiftin e parë gjysmëfinalist të këtij sezoni, me “Verdhezinjtë” e Borussia Dortmund, që do të presin në “ferin” e “Signal Iduna Park”, “Los Colchoneros” e Atletico Madrid, ndërsa “Katalanasit” e Barcelona do të sfidojnë një tjetër herë, “gjigantët” francezë, të Paris Saint-Germain.

Kështu, në “Signal Iduna Park”, sfidë që do të presë edhe përballjen Itali-Shqipëri, gjatë Kampionatit Evropian, të futbollit, Euro 2024, djemtë e Edin Terzic do të kërkojnë një përmbysje të madhe, pas disfatës së ngushtë, 2 me 1, në “Metropolitano”, të Madrid të regjistruar vetëm një javë më parë.

Padyshim një ndikim të madh do të ketë edhe tifozeria vendase, me “Murin e Verdhë”, të “gjigantëve” të Bundesliga, që premton spektakël dhe pritet të mbajë nën presion përgjatë gjithë sfidë djemtë e Diego Simeone, të cilët pasi kaluan “Zikaltërit” e Inter, në këtë kompeticion, duket se janë gati për të eleminuar një tjetër kundërshtar.

Në krahun tjetër, Mbappe me shokë janë nisur me synim të qartë, drejt Barcelonës, me djemtë e teknikut, Luis Enrique, që do të kërkojnë përmbysjen e madhe, në tokën spanjolle, për të vijuar kështu ecurinë e mirë sezonale, që po kalojnë, teksa pas sigurimit të Superkupës së Francës, arritjes në finalen e Coupe de France dhe “blindimit” të vendit të parë në renditjen e Ligue 1 kërkojnë të luajnë edhe për trofeun e madh, që mungon në arkivën e tyre.

Sakaq, edhe tekniku Xavi nuk bën pas, teksa vendosi të bëntë një lëvizje strategjike, në përballjen e së shtunës, ndaj Cadiz, duke lënë pushim, thuajse gjithë ekipin, që siguroi atë fitore të madhe, në “Parc des Princes”, mbrëmjen e 10 prillit dhe tashmë nuk mbetet asgjë më shumë për të shtuar, veçse të presim orën 21:00, për të mësuar përfundimisht çiftin e parë gjysmëfinalist, të këtij kompeticioni. /i.m /abcnews.al