Një emërim që zgjati vetëm pesë ditë. Katie Zacharia, e përzgjedhur nga presidenti amerikan Donald Trump për të qenë zëri i Shtëpisë së Bardhë përballë medias, raportohet se është larguar nga detyra këtë të premte, pas një jave të shoqëruar me kritika dhe polemika.
Largimi i saj vjen pas një fillimi të vështirë në detyrën e re, ku konferenca e parë për shtyp tërhoqi vëmendjen për kohëzgjatjen e shkurtër dhe paraqitjen e saj përballë gazetarëve.
Gjatë konferencës së mbajtur, Zacharia u shfaq e tensionuar dhe lexoi deklarata të përgatitura, ku shprehte krenarinë për mundësinë për të punuar në administratën e presidentit Trump.
Konferenca përfundoi papritur pas vetëm 14 minutash, duke nxitur diskutime mes gazetarëve të pranishëm në Shtëpinë e Bardhë për të ardhmen e saj në këtë detyrë. Megjithatë, në atë moment, pakkush priste që largimi i saj të konfirmohej vetëm pak ditë më vonë.
Vetëm disa orë përpara se të bëhej publik lajmi për largimin, Zacharia ishte e ftuar në nje emisionin televiziv.
Gjatë intervistës, ajo u përball me pyetje lidhur me besimin që gëzonte në Shtëpinë e Bardhë, pas raportimeve kritike për paraqitjen e saj të parë si zëdhënëse.
Gazetari e pyeti drejtpërdrejt nëse mendonte se e kishte ende besimin e presidentit amerikan. Zacharia nuk dha një përgjigje të qartë, por u shpreh se vazhdonte të ishte pjesë e aktiviteteve të Trumpit dhe se kishte udhëtuar me të gjatë takimeve dhe angazhimeve politike në kuadër të fushatës për zgjedhjet e mesmandatit, që do të mbahen më 3 nëntor.
Ajo shtoi se shpresonte të krijonte besimin dhe besueshmërinë e njerëzve që e rrethonin, pa sqaruar nëse kishte marrë ndonjë garanci për vazhdimin e saj në detyrë./abcnews.al


