Nga jashtë duket sikur gjithçka shkon mirë, por te Real Madrid atmosfera është e tensionuar. Në qendër të problemit është Kylian Mbappe dhe sjellja e yllit francez brenda fushës dhe sidomos jashtë saj.
Konfirmimi vjen nga “Cadena Cer” radio madrilene, gjithmonë e mirë informuar për çështjet në klubin “merengues” dhe prestigjozja franceze “L’Equipe”.
Sipas tyre, drejtuesit e Real janë të shqetësuar për mënyrën se si sulmuesi po menaxhon veten në sezonin e fundit.
E vërtetë, që Mbappe ka shënuar 94 gola në 111 ndeshje të luajtura deri tani me skuadrën madrilene, por sipas këtyre dy mediave, gjatë javëve të fundit është rritur ndjeshëm pakënaqësia e tifozëve në rrjetet sociale.
Për këtë ka ndikuar sjellja e tij jashtë fushës. Mbappe mungoi në dy ndeshjet e fundit për shkak të një dëmtimi, që e mbajti jashtë grumbullimit me Francën në sfidat e Ligës së Kombeve. Por gjatë kësaj periudhe sulmuesi ka anashkaluar programin e rikuperimit, duke alarmuar klubin dhe trajnerin Mourinho.
Kjo u faktua me videot që bënë xhiron e botës, ku në fillim futbollisti shfaqej teksa hynte me të dashurën e tij në një prej diskotekave më të famshme të Parisit, dhe më pas teksa shijonte alpet zviceriane duke bërë xhiro me biçikletë. Po ashtu, duke qëndruar në atë që raporton “L’Equipe”, Mbappe ka ndryshuar katërcipërisht edhe qasjen e tij në lojë dhe komunikim.
E gjithë kjo lidhet me garën e “Topit të Artë”, ku ai është një prej pretendentëve. Madje, sipas të përditëshmes sportive më të madhe franceze, nuk duhet përjashtuar edhe mundësia, sado e vogël, që ai të largohet nga Real Madrid në fund te sezonit.


