Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka nisur turin e paralajmëruar ku në takime me qytetarët ai ka paralajmëruar thirrjen e tyre në protesta në muajin Janar të vitit të ardhshëm. Nga Kombinati, Basha i tha shqiptarëve të bashkohen kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama.
Si e pati paralajmëruar, javën e fundit të Dhjetorit do e përdorte për të ftuar qytetarët në protest. Kreu i Partisë Demorkatike, nga Kombinati foli për fate të vulosura.
“Politikisht, ky do të jetë viti i fundit i zullumit, Edi Rama dhe banda e tij e kanë vulosur fatin e tyre. Nuk ka prokuror të përkohshëm, nuk ka prokuror pa veting, nuk ka prokuror politik që shpëton Sajmir Tahirin nga drejtësia. Mbajeni mend, shënojeni dhe ndajeni këtë lajm, këtu, në zonën e tij elektorale me çdo qytetar.
Për Lulzim Bashën marrëveshja e 18 Majit duket jo vetëm e vdekur, por edhe imazh i asaj që sipas kryedemokratit, nuk mund të ndodhë më.
“Ajo tregoi para shqiptarëve që zgjidhja hibride nuk funksionon. Që pa larguar shkaktarin e kësaj të keqe, nuk do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme.”- u shpreh Kryetari i Partisë Demokratike.
Kreu i Partisë Demokratike tha se kjo betejë ka në thelb jo më politika specifike por vetë mbijetesën e demokracisë.
Beteja për Kushtetutën është betejë për demokracinë, është betejë për drejtësinë, është betejë për ekonominë dhe ajo sapo ka nisur e ne do ta çojmë deri në fund.
Basha i bëri thirrje qytetarëve të reagojnë duke mos u pajtuar me të keqen e duke u ngritur në protestë të bashkuar, në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë./abcnews.al