Tiranë – Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë ka parandaluar një konflikt të mundshëm mes disa grupeve të miturish në zonën e Kombinatit, në Tiranë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, morën informacion në rrugë operative se disa grupe të miturish do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin.
Pas organizimit të menjëhershëm të shërbimeve, efektivët lokalizuan në rrugën “Llambi Bonata” disa të mitur, të ndarë në grupe.
Policia ndërhyri për parandalimin e konfliktit dhe shoqëroi të miturit në ambientet e Komisariatit Nr. 6. Gjatë kontrollit fizik, disa prej tyre u gjetën me 5 armë të ftohta dhe mjete të mprehta, përfshirë thika e kaçavida. Gjithashtu, u sekuestruan edhe disa maska.
Në përfundim të veprimeve procedurale, të kryera në prani të prindërve dhe psikologëve, si dhe pas komunikimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 28 shtetas të mitur, të moshave 13 deri në 17 vjeç.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/abcnews.al/


