Lleshaj reagon për protestën: Ves i vjetër, por me një “risi” të mjerë

schedule19:46 - 13 Tetor, 2019

schedule 19:46 - 13 Tetor, 2019

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, reagoi në rrjetet sociale pas përfundimit të protestës së opozitës.

Në një postim në Facebook, Lleshaj thotë se PD iu kthyer vesit të vjetër me bllokimin e rrugës, por kësaj radhe drejtuesit e saj u fshehën pas fëmijëve dhe grave, të cilët përdoren në mënyrë abuzive si shprehje tronditëse e mungesës së përgjegjshmërisë dhe e kurajës.

Postimi i plotë:

Pushimet e verës duket se nuk e ndihmuan Partinë Demokratike për të gjetur udhën e politikës.

Sot, më 13 tetor, ajo u rikthye përsëri në vesin e vjetër të bllokimit të rrugëve, por kësaj radhe me një “risi” të mjerë. Drejtues të saj u fshehën pas fëmijëve dhe grave, të cilët u përdorën në mënyrë abuzive, si shprehje tronditëse e mungesës së përgjegjshmërisë dhe e kurajos.

Drejtuesit e PD duhet të dinë mirë një gjë:
Policia e Shtetit nuk do të përballet kurrë me fëmijët e keqpërdorur politikisht. Por, në të njëjtën kohë, ajo nuk do të tolerojë asnjë pengmarrje të qytetit nga një grup parapolitik i dalë dëshpërimisht jashtë rrugës së arsyes dhe të ligjit.

Me këtë rast, ftoj të gjithë qytetarët që janë bërë pjesë e këtij manipulimi që të distancohen nga shkeljet e ligjit, që të mbajnë fëmijët larg politikës së rrugës dhe që të mos lejojnë keqpërdorimin e vetes për interesa politike!

E drejta e tyre nuk mund të gjendet kurrë tek bllokimi i arterieve kryesore të kryeqytetit, por vetëm te rruga institucionale.

Iluzioni se problemet mund të zgjidhen përmes vetëgjyqësisë, që promovon PD, është i kotë dhe i dëmshëm për të gjithë.

E vetmja rrugë e arsyeshme për të zgjidhur problemet është qasja institucionale. Institucionet janë plotësisht të gatshme dhe të përgatitura për të trajtuar në rrugë ligjore problemet e qytetarëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!