90 minuta fjalim pas një mungese të gjatë në Kuvend, i shërbyen Edi Ramës për ti folur troc, më fort Albin Kurtit, por pa harruar rivalët politikë në Tiranë.
“Bota nga vijnë këto shkulme dëshpërimi politik ekstrem, i përket një planeti tjetër, planeti non grata”, ka thënë Rama.
Këtë moment, Edi Rama e përdori për të dhënë të vërtetën e tij për Kosovën, së pari duke shpjeguar pozicionin e Shqipërisë, që sipas kryeministrit aktualisht është faktori më aktiv në rajon për paqen dhe stabilitetin
“Perëndimorët e Ballkanit jo ballkanasit e radhës”, u shpreh ai.
Albin Kurtit i kujtoi se po humbet kohë duke mos krijuar asosacionin, pjesë e planit franko gjerman.
“Kosova sot po rrezikon ta humbasë shansin historik që i jep plani franko-gjerman”
Pas përmbushjes së kësaj kërkese, sipas shefit të qeverisë shqipatare, Serbia nuk do të bëjë më rolin e viktimës mes Brukselit dhe Uashingtonit
“Këtë e kupton edhe BUFI”
Edi Rama insiston se KFOR duhet të marrë nën kontroll kufirin verior të Kosovës, pasi autoritetet kosovare nuk ja kanë dalë.
“Kush e sheh sovranitetin e Kosovës të kërcënuar nga kërkesa ime për Kosovën duhet t’u shpjegojë shqiptarëve përse rrjeta e kufirit në veri është çarë në këtë katërt anët. Si hynë aq kollaj në atë zonë prej vitesh armatime të panumërta”
I kujtoi kritikëve se asnjë rrezik nuk vjen nga KFOR.
“KFOR nuk është një ushtri pushtuese në Kosovë, është Njësia e Çlirimtarëve Ndërkombëtar të Kosovës”
Edi Rama sqaroi edhe një herë deklaratën e tij mbi veriun si tokë të askujt.
“Përse nuk qenka “No mans Land” kur aty lulëzojnë aktivitete të paligtjshme kriminale? Kur nuk ka asnjë kontroll dhe nuk ka asnjë mundësi të parashikosh çfarë vjen nesër. Çfarë ishte Lazarati, ‘no mans land”.
Disa herë në fjalimin e tij, Edi Rama tha se ndihej i neveritur nga sulmet e sponsorizuara në Prishtinë ndaj tij dhe rivalëve politikë të Albin Kurtit.
“Mbase ata në Prishtinë i shtojnë votat duke ekspozuar mendjelehtësinë e Amerikës”
Në këtë rast, kryeministri i doli në mbrojtje Ramush Haradinajt, me të cilin nuk ka pasur marrëdhënie të mira, por kjo nuk e pengon t’i dalë në krah, pas kryqëzimit që i është bërë së fundmi prej një videoje ku troket gotat me deputetë të listës serbe.
“E bëj copë, copë nga trollsat e trushpëlarjes kinse patriotike. Bënë luftën kur është për të bërë luftën dhe bënë paqe kur është për të bërë paqë. Turpi i mbuloftë. Ata që sot e harrojnë me lehtësinë e një puple se pa qindra mijëra ramushët e UCK, nuk do ta gëzonin lirinë e shprehjes deri në mundësinë ekstreme të abuzimit”.
Për solidaritet politik dhe në autoironi, Rama ngriti një dolli me ujë në serbisht:
“Tradhtar i kombit Edvin Ramoviç, gëzuar”