Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i ka shprehur keqardhjen e tij presidentit amerikan Donald Trump, lidhur me votën e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në favor të rezolutës që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Në një letër dërguar presidentit të Shteteve të Bashkuara, te publikuar nga Zëri i Amerikës, Meta shkruan se “vota kundër aleatit dhe mikut tonë të madh, është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës dhe as me parlamentin e Shqipërisë. Ajo nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar, i cili –vijon më tej letra- nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA në momentet më të vështira të ekzistencës së tij”. Presidenti Ilir Meta bën më tej të ditur në letrën drejtuar Donald Trump se “do të kërkojë personalisht shpjegime dhe sqarime për këtë qëndrim dhe vendim të Qeverisë, që bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesave tona kombëtare”./abcnews.al