Një aksident i rëndë hekurudhor në Spanjë ka shkaktuar rreth 68 viktima, sipas vlerësimeve paraprake të raportuara nga gazeta spanjolle El País. Dy trena me shpejtësi të lartë janë përplasur pranë Toledos, në jug të Madridit, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë ndërhyrjen në vendngjarje.
Aksidenti ndodhi pak pas orës 09:00 të së mërkurës, më 28 tetor, në zonën mes Los Yébenes dhe Urda, në provincën e Toledos. Në përplasje u përfshinë një tren AVE, i nisur nga Madridi në drejtim të Seviljes, dhe një tren i kompanisë Iryo, i cili udhëtonte në drejtimin e kundërt.
Sipas informacioneve paraprake, dy vagonë dyshohet se kanë dalë nga shinat dhe kanë përfunduar në një shpat të thepisur, duke vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës.
Pas aksidentit, kompania Adif, përgjegjëse për menaxhimin e infrastrukturës hekurudhore në Spanjë, njoftoi pezullimin e qarkullimit të trenave me shpejtësi të lartë në linjën që lidh Madridin me rajonin e Andaluzisë.
“Qarkullimi në linjën me shpejtësi të lartë Madrid-Andaluzia është pezulluar pas përplasjes mes dy trenave”, bëri të ditur kompania përmes një njoftimi të publikuar në rrjetin social X.
Ndërkohë, shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Sipas analizave paraprake të El País, një nga pistat që po shqyrtohet është mundësia e një gabimi njerëzor, por rrethanat e plota të ngjarjes pritet të përcaktohen nga hetimet.


