Rama: Brukselit ia kam bërë të qartë që “takim me kryeministra pa kryeministrin e Kosovës nuk ka”

schedule17:06 - 7 Korrik, 2023

schedule 17:06 - 7 Korrik, 2023

MAL I ZI- Gjatë qëndrimit në Mal të Zi, kryeministri i Shqipërisë tha se “Ballkanin e Hapur” as nuk e ka hapur dhe as nuk mund ta mbyllë ai personalisht. I pyetur nga gazetarët se çfarë përfitimesh pati nga ky proces, Rama therksoi se tre vendet, që morën pjesë në këtë proces kanë përfituar dhe këtë e dëshmojnë shifrat e importit dhe të eksportit.

“Ballkanin e Hapur as s’e hapa vetë, as s’e mbylli dot vetë. Tre nga 6 vendet nuk u përfshinë dhe dëmtuan veten e tyre, nuk përfituan nga ato që përfituan tre të tjerët. Sipërmarrja boshnjake iu kërkon autoriteteve “Ballkanin e Hapur”. Pse? Sepse “Ballkani i Hapur” iu dha mundësinë këtyre tre vendeve, që të jetësojnë disa marrëveshje, të cilat do të ishin jetësuar me Procesin e Berlinit, por u tërhoqën zvarrë. Pyesni dhe shihni shifrat e importit dhe të eksportit. Është bërë e lehtë me lëvizjet me ato barrierat tarifore dhe certifikatat. Pa “Ballkanin e Hapur”, domatet që nisen nga Saranda dhe mbërrijnë në Bosnjë shkojnë salcë, psh. Na ka ndihmuar për t’u afruar me njëri tjetrin”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama foli edhe për takimin e kryeministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili do mbahet në Shqipëri. Rama shtoi se ia ka bërë të qartë Brukselit se nuk do ketë takim me kryeministra, nëse nuk do jetë i pranishëm kryeministri i Kosovës. Ai u shpreh se kështu e kupton rëndësinë e postit të kryeministrit të Kosovës, në kuadrin e Procesit të Berlinit.

Shefi i qeverisë shtoi se është në dorë të  kryeministrit Albin Kurti, nëse do vijë apo jo në takimin e Tiranës.

“Ai është i ftuar si gjithë të tjerët. Unë jam kam bërë të qartë edhe Brukselit, që takim me kryeministra pa kryeministrin e Kosovës nuk ka. Kështu e kuptoj unë rëndësinë e kryeministrit të Kosovës sa i takon Procesit të Berlinit. Nuk e përjashtoj që Albin Kurti mos të vijë. Kjo nuk përjashtohet se nuk përjashtohet asgjë. Është e drejta e tij që mos të vijë”, tha Rama.

Gjatë takimit me kryeparlamentarin e Kosovës, Rama tha se ka kaluar shumë mirë, madje shtoi se nuk kanë folur fare për draftin e asociacionit.

“Unë me Glaukun kemi pasur një bisedë fantastike. Unë flisja, Glauku qeshte. Nuk kemi folur asnjë fjalë për draftin e asociacionit, asnjë fjalë. Por pse i tha Glaukut ato jashtë, duhet të pyesin Albinin”, tha Rama./n.m.abcnews.al