Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Fitoi forca e arsyes”, Rama për lirimin e 3 policëve të Kosovës : S’do lejojmë një ‘Donbas’ ballkanik në zemër të Europës

schedule11:17 - 26 Qershor, 2023

schedule 11:17 - 26 Qershor, 2023

Lajm të vonuar, por  gjithësesi shumë të mirë që i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që nuk kanë kryer asnjë krim dhe I hap rrugë de-eskalimit të dialogut. Kështu e ka cilësuar kryeministri Edi Rama kthimin e policëve të Kosovës në shtëpi pas 13 ditësh arrest nga forcat serbe.

“Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës. Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë.” – shkruan kryeministri Edi Rama në twitter.

Shefi i qeverisë shqiptare  ndodhet në Bruksel ku do të takohet me Presidentin e Këshillit Europian  Charles Michel  të cilit thotë se do ti përcjellë shqetësimet  për situatën kritike në rajon.



Bindjen time – shkruan Rama  – mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euro-atlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit.

Të dy palët thotë kryeministri i Shqipërisë i kanë sytë tek fronti i politikës së brendshme,  sondazhet e përflakuara nga retorika nacionaliste  dhe dialogut jetik për të ardhmen e rajonit  dhe marrëdhënieve me botën demokratike i kanë kthyer kurrizin.

Degradimi I situatës në  veri të Kosovës sipas Ramës rrit mundësinë  e një “Donbasi” ballkanik në zemër të Europës.

Kryeministri shkruan se;  “Kjo mundësi edhe vetëm ta mendosh është katastrofike, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht. Miopia strategjike në qasjen ndaj dialogut, zvarritja e planit të shkëlqyer franko-gjerman, devijimi i fokusit tek demonstrimet e forcës dhe si rrjedhojë, degradimi i situatës në Veri, mund t’i kushtojnë gjithë këtij rajoni, Serbisë padiskutim, po sidomos Kosovës më shumë se çdokujt tjetër, një kthim i mosozotshëm mbrapa, me pasoja shumëvjeçare.” Kreyministri Rama thotë se Shqipëria do të bëjë çmos që kjo të mos ndodhë.

Postimi i Ramës:

Kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, po gjithësesi shumë i mirë, sepse e para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut. Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës. Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë.

Sapo kemi mbërritur në Bruksel, ku pas pak do të takohem me Presidentin e Këshillit Europian, mikun e çmuar të Shqipërisë dhe rajonit tonë, Charles Michel. Do t’i përcjell mikut tonë shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon dhe bindjen time mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euro-atlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit. Fatkeqësisht, së fundmi të dyja palët i kanë sytë tek fronti i politikës së brendshme dhe tek sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste.

Ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike u kanë kthyer kurrizin. Ndërkohë situata në Veri degradon me orë e me minuta, duke rritur edhe mundësinë e largqoftë një “Donbasi” ballkanik mu në zemër të Europës. Kjo mundësi edhe vetëm ta mendosh është katastrofike, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht. Miopia strategjike në qasjen ndaj dialogut, zvarritja e planit të shkëlqyer franko-gjerman, devijimi i fokusit tek demonstrimet e forcës dhe si rrjedhojë, degradimi i situatës në Veri, mund t’i kushtojnë gjithë këtij rajoni, Serbisë padiskutim, po sidomos Kosovës më shumë se çdokujt tjetër, një kthim i mosozotshëm mbrapa, me pasoja shumëvjeçare.

Shqipëria do të bëjë çmos që kjo të mos ndodhë, sepse do të ishte një çmenduri që paqja e brishtë që kemi ndërtuar përgjatë këtyre viteve, në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe përmes nismash të ndryshme, të rrënohet si kështjellë rëre nga rikthimi i dallgës së marrëzisë ballkanike, duke na rihedhur të gjithëve jashtë rrugës së integrimit europian, në fuçinë e vjetër të barutit në mes të Europës.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!