Kryeministri Albin Kurti, pas arritjes në Ohër, ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të shtetit, Derek Chollet, në prag të takimit të nesërm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
“Me të mbërritur në Ohër para bisedimeve të nesërme, pata një telefonatë me këshilltarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet. Diskutuam për rëndësinë që kjo fundjavë ka për Kosovën, rajonin, integrimet euroatlantike dhe sigurinë. Theksova se jemi të përkushtuar që dita e nesërme të jetë e suksesshme”, ka shkruar kryeministri Kurti në “Twitter”.
Upon my arrival in Ohër/Ohrid ahead of tomorrow’s talks, I had a phone call with @CounselorDOS Chollet.
We discussed the importance of this weekend for Kosova, the region, Euro-Atlantic integration, and security. I emphasized that we are committed to making tomorrow a success. pic.twitter.com/LKpoTg6zVO— Albin Kurti (@albinkurti) March 17, 2023
Ai ka falënderuar Cholletin për angazhimin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut.
Kurti dhe Vuçiç në takimin e 27 shkurtit në Bruksel e pranuan propozimin evropian, por nuk vendosen nënshkrimin mbi dokument. Josep Borrell sot në Shkup ka thënë se në takimin e nesërm do të paraqitet një version i konsoliduar i aneksit me komentet e të dyja palëve, ku do të saktësohen detajet rreth zbatimit të dispozitave dhe që do të jetë pjesë integrale e marrëveshjes, shkruan RTK.
Propozimi evropian ndër të tjera përfshin zotimin e të dyja vendeve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese evropiane