Policia Rrugore e Tiranës ka arrestuar 23 persona nga të cilët 9 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 11 të papajisur me leje drejtimi si dhe 3 drejtues mjeti për veprën penale te korrupsionit. Këto arrestime janë bërë gjatë javës pas kontrolleve të ushtruar nga ana e policisë për parandalimin e aksidenteve.
Shumë drejtues automjetesh nën efektin e alkoolit nuk marrin parasysh pasojat fatale, por vijojnë të sfidojnë ligjin. 23 shoferë kanë përfunduar në burg, gjatë aksionit të policisë të kryer në fundjavën që lamë pas.
Nga testet e alkoolit, rezultoi se, 9 drejtues ishin në gjendje të dehur, 11 të papajisur me leje drejtimi si dhe 3 drejtues mjeti u prangosën për veprën penale “korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Gjatë aksionit të Policisë Rrugore në Tiranë, janë pezulluar 90 leje drejtimi, nga të cilat 38 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 34 për shpejtësi mbi normat e lejuara, dhe 18 për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.
Përdorimi i celularit në drejtim të automjetit vijon të jetë një nga shkeljet e cila është ndëshkuar më së shumti nga Policia Rrugore. 325 shoferë u gjobitën vetëm në fundjavë, ndërsa janë vendosur në total 2450 masa administrative, për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor. Në fokus kanë qenë edhe errësimi xhamave të automjeteve, ku 102 drejtues janë proceduar administrativisht.
Kontrollet blic të Policisë Rrugore u kryen për të ulur numrin e aksidenteve fatale që kohët fundit kanë shënuar rritje në mbarë vendin, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./ABC News Albania 24/7