Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Marta Kos në konferencë me kryeministrin Rama: Reformat, tregu i përbashkët dhe integrimi digjital, hapa të rinj për Shqipërinë drejt BE

schedule12:43 - 27 Nëntor, 2026

schedule 12:43 - 27 Nëntor, 2026

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka vlerësuar ecurinë e reformave në Shqipëri dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në Tiranë.

Kos deklaroi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është tashmë në lëvizje dhe se edhe vendet e Ballkanit Perëndimor po ecin përpara në procesin e integrimit, por theksoi se përparimi do të varet nga rezultatet konkrete të reformave.

Ajo bëri të ditur se Mali i Zi ka përmbushur 94% të reformave të parashikuara, ndërsa Shqipëria ka zbatuar 80% të tyre, duke përfituar 185.6 milionë euro në kuadër të këstit të katërt të Planit të Rritjes.



Komisionerja theksoi se parimi i performancës individuale do të ketë gjithnjë e më shumë rëndësi në shpërndarjen e fondeve evropiane, duke e cilësuar këtë një qasje të bazuar te merita.

“Është gjë e mirë që ne të bëjmë një bilanc të zbatimit të Planit për Ballkanin Perëndimor. Është në interesin tonë që ta integrojmë këtë rajon në BE. Ajo që shohim është se zgjerimi është në lëvizje dhe shohim se në lëvizje është edhe Ballkani Perëndimor. Ideja e një rajoni të përbashkët në procesin e integrimit po zbehet disi. Mali i Zi është pranë përfundimit të negociatave këtë vit, shpresojmë. Shqipëria mund të arrijë të njëjtën gjë vitin tjetër.

Vendet që nuk i përmbushin reformat nuk ecin përpara. Mali i Zi ka zbatuar 94% të reformave, Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe do të përfitojë 185.6 milionë euro. Ne do të rrisim financimin për rezultatet që kanë më shumë ndikim. Maqedonia e Veriut do të përfitojë po ashtu. Vendet që përmbushin angazhimet e tyre për reforma përfitojnë financim. Performanca individuale do të jetë gjithnjë e më shumë parimi udhëheqës. Ka një mbështetje të fortë nga shtetet anëtare për këtë qasje, të cilën ne e quajmë të bazuar te merita.

Këtu shoh një mundësi jo vetëm për tre vendet që përmenda, por edhe për shtete të tjera. Në Serbi shoh qëndrueshmëri, në Kosovë ka zhvillim dhe po ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut.

Ne duam të hapim më shumë pjesë të tregut të përbashkët dhe të zgjerojmë bashkëpunimin në fushën digjitale. Do të shqyrtojmë me secilin vend kandidat në mënyrë individuale dhe do të diskutojmë edhe për ide dhe se si ky integrim gradual mund të sjellë më shumë siguri”, tha ajo.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!