Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka bërë një përmbledhje të diskutimeve në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, duke veçuar katër prioritetet kryesore: reformat, integrimin në Tregun e Vetëm Evropian, investimet dhe inovacionin, si dhe zhvillimin e korridoreve e interkonjeksioneve energjetike dhe digjitale.
Në konferencën për shtyp me Komisioneren për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, Rama konfirmoi se Shqipëria do të përfitojë 15% më shumë fonde nga Plani i Rritjes, përmes rishpërndarjes së fondeve të papërthithura nga vendet e tjera.
Ai theksoi gjithashtu përfitimet nga integrimi në Sistemin Evropian të Pagesave (SEPA), ku në 11 muaj janë kryer 788 mijë transaksione, ku qytetarët kanë kursyer miliona euro
Sa i përket roaming-ut, synimi është që në vitin 2027 qytetarët shqiptarë të përfitojnë tarifa të reduktuara, ndërsa integrimi ekonomik i rajonit në tregun evropian mbetet objektivi kryesor.
“Kanë qenë 48 orë të mbushura me Evropë për Ballkanin Perëndimor: nga Samiti Vjetor BE–Ballkani Perëndimor me BE-në në Bruksel, te Konferenca e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, në edicionin e saj të dytë në Tiranë, dhe sot, Samiti i Planit të Rritjes, i cili për Shqipërinë po ecën më së miri.
Siç e konfirmoi edhe Komisionerja, Shqipëria do të marrë nga Plani edhe 15% më shumë të shumës së saj, në bazë të rishpërndarjes së fondeve që nuk mund të përthithen nga vendet e tjera.
Katër ishin drejtimet kryesore të diskutimit, sepse katër janë edhe drejtimet e punës sonë të madhe. Së pari, reformat, të cilat forcojnë sundimin e ligjit, përmirësojnë qeverisjen dhe krijojnë një mjedis konkurrues për biznesin, duke përshpejtuar edhe tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital.
Së dyti, integrimi hap pas hapi në Tregun e Vetëm Evropian. Njëmbëdhjetë muaj më parë, Shqipëria hyri në sistemin evropian të transaksioneve të parasë dhe pagesave. Gjatë këtyre 11 muajve janë përpunuar 788 mijë transaksione, me një vlerë prej 8.7 miliardë eurosh. Kursimet e shqiptarëve, falë hyrjes në këtë sistem, arrijnë deri tani në 20 milionë euro, ndërkohë që potenciali është deri në 71 milionë euro kursime në vit, për qytetarët dhe bizneset shqiptare, vetëm nga ky integrim në një sistem të përbashkët. Regjimi i roaming-ut, i cili po lehtësohet për qytetarët dhe bizneset e Ballkanit Perëndimor. Negociatat kanë nisur në tetor dhe synimi ynë është që, në vitin 2027, qytetarët tanë të përfitojnë tarifa të reduktuara roaming-u.
Tre, investimet dhe inovacioni. Konferenca që u mbyll mbrëmë shfaqi të gjithë potencialin e rajonit dhe krijoi premisa për një sërë ndërveprimesh mes bizneseve. BE-ja, përmes Komisionit dhe nën udhëheqjen e drejtorisë së zgjerimit, të drejtuar nga komisionerja, është duke eksploruar hapat e tjerë të integrimit në tregun e përbashkët.
Së katërti, korridoret, interkonjeksionet energjetike, rrjetet digjitale janë investime në ekonomitë tona për t’u rritur së bashku.
Diskutimi i sotëm shkoi përtej Planit të Rritjes, në funksion të një modeli të integrimit ekonomik më të thellë në tregun europian, duke mos harruar që sa më shumë të integrojmë Ballkanin Perëndimor, do të ndihmojmë ekonomitë tona”, tha ai.



