Uria pritet të përkeqësohet ndjeshëm në 16 zona të nxehta në mbarë botën gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, ndërsa disa vende përballen me rrezikun e një krize të rëndë ushqimore.
Paralajmërimi vjen nga dy agjenci të Kombeve të Bashkuara, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) dhe Programi Botëror i Ushqimit (WFP).
Sipas raportit të tyre të fundit, Sudani, Sudani i Jugut, Somalia, Nigeria veriore dhe Jemeni janë ndër vendet më të rrezikuara nga uria, për shkak të konflikteve të armatosura, zhvendosjes së popullsisë, vështirësive ekonomike dhe kushteve ekstreme atmosferike.
Numri i zonave të identifikuara si vatra të urisë është rritur nga 13 në 16 krahasuar me raportin e mëparshëm të qershorit. Në listë janë shtuar Çadi, Uganda, pjesë të Afrikës Jugore dhe Amerikës Qendrore, ndërsa Libani është hequr.
Raporti, që mbulon periudhën dhjetor 2026 – maj 2027, paralajmëron gjithashtu për ndikimin e reduktimit të fondeve humanitare. Sipas zyrtarit të FAO-s, Connor Elliott, ndihma për pesë vendet më të rrezikuara nga uria ka rënë me dy të tretat gjatë periudhës 2022-2025.
Një tjetër faktor shqetësues është fenomeni klimatik El Niño, i cili mund të sjellë thatësira dhe temperatura ekstreme në Afrikën Jugore dhe Amerikën Qendrore, si dhe përmbytje të rënda në pjesë të Afrikës Lindore.
Sipas agjencive të OKB-së, konfliktet dhe dhuna janë shkaktarë të drejtpërdrejtë të pasigurisë ushqimore në 12 nga 16 zonat e identifikuara. Ndërkohë, rritja e çmimeve të ushqimeve, energjisë dhe transportit po e vështirëson edhe më shumë sigurimin e nevojave bazë për miliona njerëz.
Në Sudan, rreziku i urisë prek 13 zona në Darfurin e Veriut dhe Kordofanin e Jugut deri në janar 2027. Luftimet kanë ndërprerë prodhimin ushqimor, funksionimin e tregjeve dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Shqetësuese paraqitet situata edhe në Somali dhe Sudanin e Jugut, ku popullsitë e zhvendosura përballen me kushte gjithnjë e më të vështira për shkak të dhunës dhe mungesës së ushqimit.
Afganistani, Haiti, Republika Demokratike e Kongos dhe Gaza janë gjithashtu ndër zonat me nivel shumë të lartë shqetësimi për sigurinë ushqimore.
Edhe pse situata në Gaza ka shënuar disa përmirësime pas armëpushimit të tetorit 2025, agjencitë e OKB-së paralajmërojnë se kushtet humanitare mbeten të rënda dhe të brishta.



