Orët e frikës dhe paqes, gjithçka ndodhi në Shkodër

schedule23:00 - 20 Qershor, 2019

schedule 23:00 - 20 Qershor, 2019

Në kohën kur Kryeministri Edi Rama po mbante takimin elektoral në Vaun e Dejës, protesta-marshim, e paralajmëruar nga simpatizantët e PD-së në Shkodër, është mbajtur mes tensionesh. Nuk munguan përplasjet fizike mes protestuesve dhe forcave të policisë. Këta të fundit u përgjigjen me gaz-lotsjellës.

U paralajmërua një marshim paqësor.

Por policia ishte përgatitur për çdo skenar të mundshëm.

Simpatizantët e opozitës të udhëhequr nga kryebashkiakja Voltana Ademi  e shoqëruar nga ish-deputetë demokratë u grumbulluan në qendër të qytetit.

Pasi ecën disa metra në këmbë kur mbërritën tek kordoni i policisë tentuan ta kapërcenin për të mbërritur tek sheshi ku mbante mitingun kryeministri Edi Rama.

Policia iu përgjigj me gaz lotsjellës për t’i larguar prej aty.

Një grua humbi ndenjët, ndërsa një burrë dhe një fëmijë ishin të parët që përfunduan në spital.

Më pas shkuan disa të tjerë, por pasi morën ndihmën e parë u larguan për në shtëpitë e tyre.

“Nuk do t’i lejojmë që të uzurpojnë qytetin. Nuk ka asnjë arsye që policia e shtetit të gjuajë mbi njerëzit, qoftë me gaz apo me helme”, u shpreh Voltana Ademi.

Protesta e simpatizantëve të opozitës vijoi deri rreth orës 21.00, kur Kryeministri Edi Rama u largua nga qyteti i Shkodrës./ABC News Albania 24/7