Patologjitë e syve te fëmijët, mjekja zbulon se kur prindërit duhet të drejtohen te okulisti: Vini re këto shenja

schedule09:37 - 8 Shtator, 2022

schedule 09:37 - 8 Shtator, 2022

Doktoresha Teuta Haveri, njëherazi dhe shefe e Qendrës së Okulistikës në Spitalin Amerikan 1, ka treguar sot patoligjitë e syve te fëmijët.

E ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ajo ka thënë se vizita e detyrueshme para fillimit të shkollës është e rëndësishme, sepse një pjesë e madhe e fëmijëve të kësaj moshe paraqesin probleme të syve.

Mendoj që vizita e detyrueshme parashkollore është e rëndësishme, sepse një pjesë e madhe e fëmijëve të kësaj moshe paraqesin probleme të syve, probleme që mund të shkojnë nga më të thjeshtat, që janë ekzistenca e një numri syzesh të fshehtë dhe një patologji tjetër, apo ajo e dembelizmit të syrit që ne fillojmë e po e hasim gjithmonë e më shumë te fëmijët e moshës 5-6-vjeçare. Kjo ndodh në ato raste kur vetëm njëri nga sytë e fëmijëve ka lindur me numër, kurse tjetri ka pasur zhvillim normal. Edhe në këto raste fëmija nuk di të ankohet se nuk e kupton që po shikon vetëm me njërin sy, edhe syrin tjetër praktikisht po e lë në hije. Edhe ai sy që është lënë në hije është dembel”, tha Haveri.

Më tej, e pyetur se kur prindërit duhet të drejtohen te okulisti, ajo zbuloi disa shenja që duhet t’i vënë re te fëmija.

“Pjesa më e madhe e prindërve të kujdesshëm e dallojnë që diçka nuk shkon te sytë e fëmijës. Shenja më e zakonshme janë shtrembërimet apo deviacioni që mund të jetë permanent gjatë gjithë kohës, por edhe mund të shfaqet herë pas here. Kjo është një shenjë që duhet vlerësuar dhe duhet të paraqitesh te mjeku okulist, sepse mund të ketë probleme me njërin sy. Një shenjë tjetër është kur fëmija afrohet shumë te televizori, sepse duket që nuk ka cilësi shikimi shumë të qartë nga largësia dhe tenton të afrohet te televizori, ose kur fillon të shkruaj shkrimin nuk e ka të drejtë, por mund ta bëjë të pjerrët, ose një lotim shumë i shprehur i syve, ose i njërit nga sytë. Mund të jetë një shenjë që prindëri të paraqitet për konsultë te mjeku okulist”, u shpreh doktoresha./abcnews.al