Një njohje në një aplikacion takimesh, dy kultura të ndryshme dhe një histori dashurie që kapërceu paragjykimet. Xhuljani, shqiptari që punon në Google, dhe El Ruth, vajza nga Nigeria, po përgatiten të kurorëzojnë dashurinë e tyre në një dasmë shqiptaro-nigeriane.
Gjithçka nisi më 21 dhjetor 2023, në aplikacionin Hinge, ku Xhuljani bëri hapin e parë dhe nisi komunikimin. Disa muaj më vonë, më 21 mars, ai i kërkoi El Ruth të bëhej e dashura e tij. Tre vite më pas, në Sarandë, i propozoi për martesë, duke i dhënë historisë së tyre një tjetër kapitull.
Përpara se të njihte Xhuljanin, El Ruth kishte pak njohuri për Shqipërinë. Ajo thotë se ishte fat që nuk ishte ndikuar nga stereotipet dhe paragjykimet që ekzistojnë në Britani për shqiptarët. Kështu, pati mundësinë ta njihte partnerin për atë që është, për karakterin dhe vlerat e tij.
Por rruga drejt bashkimit nuk ishte pa sfida. Në fillim, edhe marrëdhënia me familjen e Xhuljanit pati vështirësitë e veta. El Ruth rrëfen se fillimisht i kishte interpretuar disa qëndrime si racizëm, por me kalimin e kohës kuptoi se pas tyre fshihej më shumë frika nga e panjohura dhe ndryshimi.
Sot, ajo thotë se i do shumë prindërit e partnerit dhe se është përqafuar me kulturën shqiptare. Madje, ka nisur edhe të mësojë gjuhën shqipe. Edhe familja e saj e mirëpriti Xhuljanin që në fillim, ndërsa takimi i dy familjeve në Londër, gjatë Krishtlindjeve të vitit të kaluar, ishte një moment i veçantë për çiftin.
Megjithatë, dashuria e tyre është përballur edhe me komente fyese në rrjetet sociale. Në TikTok, çifti ka marrë reagime të ashpra për lidhjen mes dy kulturave. Por, siç thotë El Ruth, komentet negative nuk mund ta përcaktojnë dashurinë e tyre.
Tashmë, përgatitjet për dasmën kanë nisur. Verën e ardhshme, pranë Tiranës, Xhuljani dhe El Ruth do të bashkojnë familjarë e miq që do të udhëtojnë nga Anglia, Amerika./abcnews.al


