Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

13 nëntor 2026, “Dita e Gjykimit”? Parashikimi i frikshëm që s’la veç një datë në histori…

schedule12:53 - 6 Nëntor, 2026

schedule 12:53 - 6 Nëntor, 2026

Një datë që ngjalli frikë më shumë se gjashtë dekada më parë, rikthehet sot në vëmendjen e botës. 13 nëntori 2026. A do të jetë kjo dita kur njerëzimi do të përballet me pasojat e mbipopullimit, apo një tjetër parashikim që koha e ka hedhur poshtë?

Në nëntor të vitit 1960, revista shkencore “Science” publikoi një studim të shkencëtarit Heinz von Foerster dhe kolegëve të tij, me titullin provokues “Dita e Gjykimit: E premte, 13 nëntor 2026”.
Sipas modelit të tyre matematikor, rritja e popullsisë njerëzore do të përshpejtohej në mënyrë të pakontrollueshme, duke e çuar njerëzimin drejt një pike kritike demografike.

Një skenar që përfytyronte Tokën të mbipopulluar, me njerëzimin që do të përfundonte i shtypur nga pesha e numrit të vet.
Por, a ishte vërtet ky një parashikim i fundit të botës?
Më shumë se gjashtë dekada më vonë, realiteti demografik ka marrë një drejtim tjetër. Popullsia e botës vazhdon të rritet, por ritmi i kësaj rritjeje është ngadalësuar ndjeshëm.
Normat e lindshmërisë kanë rënë në pjesën më të madhe të botës, ndërsa arsimimi, emancipimi i grave, urbanizimi dhe ndryshimet në mënyrën e jetesës kanë ndikuar drejtpërdrejt në numrin e fëmijëve që lindin.



Edhe përparimet në mjekësi dhe teknologji, të cilat në vitin 1960 konsideroheshin faktorë që do të përshpejtonin rritjen e popullsisë, kanë ndikuar në ndryshimin e dinamikës demografike.
Modeli i Heinz von Foerster mbështetej te koncepti i rritjes hiperbolike, sipas të cilit popullsia njerëzore do të rritej gjithnjë e më shpejt, duke iu afruar një pike teorikisht të pafundme.
Por sot, shkencëtarët e konsiderojnë këtë model të tejkaluar. Data 13 nëntor 2026 nuk pritet të shënojë fundin e njerëzimit, por rikthen një debat shumë më të rëndësishëm: çfarë po ndodh realisht me popullsinë e botës?

Sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara, të publikuara në raportin “World Population Prospects 2024”, popullsia globale vlerësohet në rreth 8.2 miliardë banorë.
Ajo pritet të arrijë pikun prej rreth 10.3 miliardë banorësh në mesin e viteve 2080, përpara se të nisë një rënie graduale.
OKB-ja vlerëson me rreth 80% probabilitet se popullsia botërore do të arrijë pikun gjatë këtij shekulli.

Megjithatë, ndryshimet demografike nuk do të jenë të njëjta në të gjitha kontinentet. Ndërsa disa vende përballen me plakjen e popullsisë dhe mungesën e të rinjve, të tjera vazhdojnë të kenë lindshmëri të lartë dhe rritje të shpejtë.
Një botë me më shumë të moshuar, më pak të rinj dhe pabarazi gjithnjë e më të dukshme mes kontinenteve.
Por pasojat nuk ndalen vetëm te numrat. Ndryshimet klimatike, migracioni dhe zhvendosja e popullsive mund të ndryshojnë ekosistemet dhe të ndikojnë në përhapjen e sëmundjeve infektive.
Edhe sëmundje si malaria mund të shfaqen në zona të reja, si pasojë e ndryshimeve të temperaturave dhe kushteve mjedisore.

A po shkon njerëzimi drejt një krize të re demografike? A do të jetë plakja e popullsisë sfida më e madhe e shekullit XXI?
Dhe nëse 13 nëntori 2026 nuk do të jetë “Dita e Gjykimit”, a mund të ketë një tjetër datë që do të shënojë pikun e popullsisë mbi Tokë?
Për këto dhe të tjera zhvillime demografike, në një lidhje direkte me “ABC e Mëngjesit”, i komentoi Dr. Arjan Gjoncajn, profesor të asociuar në fushën e demografisë pranë Departamentit të Zhvillimit Ndërkombëtar në London School of Economics (LSE)./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!