Krerët e UÇK në burg, Rama pyetje perëndimorëve për Hagën: A fshihet pas kësaj gjykate dora e Putinit?

schedule18:52 - 20 Qershor, 2022

schedule 18:52 - 20 Qershor, 2022

Kryeministri Edi Rama ka ngritur një sërë pyetjesh për liderët perëndimorë për çështjen e burgosjes së drejtuesve të UÇK-së. Rama mori pjesë në prezantimin  e librit të nënkryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, “Përplasja e Madhe”.

Kreu i qeverisë ngriti dyshimet nëse fshihet dora e Rusisë pas gjykatës së Hagës. “A është ajo gjykatë pa asnjë dorë të Putinit dhe Moskës?”, pyeti Rama.

Kryeministri tha se Hashim Thaçi po mbahet në burgun e Hagës pa asnjë akuzë. Rama u kërkoi liderëve perëndimorë të reflektojnë, duke hedhur poshtë pretendimet për trafikim organesh nga krerët e UÇK-së gjatë luftës.

Akuzat e Dick Marty, Rama u ka quajtur edhe njëherë përralla, ndërsa thotë se trafiku i organeve është përdorur nga rusët edhe në raste të tjera.

“Më shumë se një herë që Putin e ka përsëritur se ajo që ka bërë NATO në Kosovë është e pajustifikueshme. Më shumë se njëherë ai ka lënë të kuptohet që atë që keni bërë ta provoni tani që po e bëjmë ne. Tek fabrika e gënjeshtrave, më e madhe është ajo për UCK-në. Është një gënjeshtër që është projektuar me një strategji, nuk ka filluar me gjykatë. Ka pasur qartësisht qëllimin që diskreditimin e UCK ta çojë deri në pikën e pabesueshme të ngritjes së një gjykate speciale me duart e vet Kosovë, me nxitjen, detyrimin, e aleatëve dhe me rezultat të diçkaje të pa ndodhur ndonjëherë, arrestimin e një presidenti në detyrë pa akuzë.

Imagjinoni sikur cilitdo nga vendet që e kanë mbështetur Tribunalin tu kapej presidenti i tyre pa akuza. Dhe surpriza më e madhe që duhet ti bëjnë të reflektojnë shumë që nga  miqtë tanë amerikanë dhe të gjithë perëndimorët q janë bashkëautorët e çlirimit është shtëpia e verdhë dhe tribunali. U mbush bota me veshka dhe mëlçi që Thaçi dhe Veseli ua hiqnin nga trupi i serbëve dhe i shisni në pazaret e peshkut. Tani ka një pyetje që për sa na takon ne si qeveri do të bëjmë çmos që ta vendosim mu përballë të gjithëve që nga Joe Biden te Johnoson , te Scholz e të gjithë: Si shpjegohet që një tribunal i ngritur si rezultat fundor i një raporti që mori bekimin e KE me gjithë akuzat që kishin kanë nxjerrë një aktakuzë ku s’ka asgjë, as me shtëpinë e verdhë, as me organe. Dhe çfarë lidhje ka midis Dick Marty me faktin që edhe sot kur Shqipëria në KS ngre çështjen e llogaridhënies ndërkombëtare, Rusia kundërvihet me trafikun e organeve? Si shpjegohet që përralla e trafikut të organeve përdoret nga rusët edhe në raste të tjera”, tha Rama. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!