Baraj: Basha mbijeton në politikë vetëm nëse ka kaos

schedule18:00 - 12 Prill, 2019

schedule 18:00 - 12 Prill, 2019

Sipas deputetit të Partisë Socialiste, Besnik Baraj, kreu i opozitës Lulzim Basha nuk mund të mbijetojë në politikë nëse nuk ka kaos. Sipas tij, njerëz në Partinë Demokratike nuk kanë besim te figura e Bashës pasi ai ka humbur më parë zgjedhje.

“Basha në planin personal nuk ka alternativë tjetër. Ai mund të mbijetojë në politikë vetëm nëse në Shqipëri ka kaos, në qoftë se në Shqipëri destabilitet. Kredoja politike e Bashës është minimale dhe ai mund të mbijetojë nëse ndodh një gjë e jashtëzakonshme si, shtrohet pushteti në tavolinë. Këtë kërkon praktikisht. Në këto rrethana, duke pasur parasysh, unë kam biseduar dhe me protagonistë të PD dhe besimi i tyre te Basha është minimalist. Ai në kushtet kur janë bërë disa zgjedhje dhe Basha ka humbur dhe nëse do respektoheshin standardet e demokracisë normale, ai duhet të ishte larguar”, tha Baraj, në studion e ABC News këtë të premte.

Gjithashtu, Baraj komentoi edhe zhvillimet në Holandë, ku një grup deputetësh kanë kërkuar që të hiqen vizat me Shqipërinë. Ai shpreson që të mos kalohet deri në këtë lloj mase.

“Sigurisht ajo që vihet re është që Holanda ka qenë skeptike në përgjithësi dhe nuk është hera e parë. E ka shfaqur edhe herë të tjera këtë lloj trysnie. Unë besoj dhe shpresoj se nuk do të kalohet në këtë lloj mase. Në pikëpamjen sasiore, pjesa e shqiptarëve që duan të largohen është shumë i vogël me numrin e emigrantëve që përballet sot Europa. Ka dhe shumë shembuj pozitivë krahas pjesës që opozita dhe media synojnë ta stigmatizojnë si të thuash. Unë jam i bindur dhe kam besim që nuk do ndodhë të revokohet sistemi i vizave”, tha Baraj.