SHBA, raporti i Mueller do të publikohet në prill

schedule22:57 - 29 Mars, 2019

schedule 22:57 - 29 Mars, 2019

Pas insistimeve të shumta të ligjvënësve, prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara ka pranuar të publikojë të plotë raportin mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet e 2016-s. Sipas mediave amerikane, një kopje e redaktuar e dokumentit do të jetë gati në mes të muajit prill.

Raporti me rreth 400 faqe i hetuesit të posaçëm Robert Myler mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-s do të publikohet i tëri në muajin prill. Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Uilliam Berr u ka shkruar senatorëve amerikanë duke i njoftuar se në mes të muajit të ardhshëm, në mos më shpejt, do të publikojë një kopje të redaktuar të dosjes. “Shumë shpejt, të gjithë do të kenë mundësi ta lexojnë vetë përmbajtjen e tij”, ka thënë Berr në letër. Pas një hetimi të gjatë 22 muaj, Myler nuk gjeti prova që të vërtetonin se stafi elektoral i Trump ishte lidhur me Rusinë. Ndërkohë, ai ia la në dorë kryeprokurorit të vendosë nëse presidenti ka përdorur autoritetin e tij për të penguar drejtësinë.

Që prej fundjavës së kaluar, kur u publikua vetëm një përmbledhje prej 4 faqesh e raportit, ligjvënësit amerikanë kanë insistuar për dorëzimin e versionit të plotë në Kongres. Vetë presidenti Trump festoi për përfundimet e hetimit në një miting të mbajtur të enjten në Miçigan, duke i cilësuar akuzat e ngritura ndaj tij gënjeshtra dhe shpifje. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!