Kryeministri kërkon ndryshimet në Kodin Penal

schedule19:16 - 28 Mars, 2019

schedule 19:16 - 28 Mars, 2019

Kryeministri Edi Rama kërkon të nxitohet me rishkrimin e Kodit Penal. Në seancën parlamentare, ai kërkoi që të ashpërsohen masat ndaj të gjithë atyre që dhunojnë funksionare të administratës publike apo të zgjedhurit nga populli.

Në ditë si këto të seancave parlamentare ndryshimet në Kodin Penal janë urgjente. Kërkesa erdhi nga kryeministri Edi Rama.

“Më shpejtë se vonë të vijë në këtë Parlament, paketa për të ndërhyrë në Kodin Penal, për t’i dhënë përgjigje disa shqetësimeve serioze”.

Këto shqetësime, sipas kreut të qeverisë kanë që nga goditja për shkak të detyrës deri tek adresimi i disa boshllëqeve.

“Apo në mos qofshin boshllëqe, janë të parakohshme për Shqipërinë, brenda të cilave prokurorët dhe gjykatës bëjnë hajgare me krimin e organizuar dhe me kriminelët akoma sot e gjithë ditën. I japin vetes të drejta, të cilat nuk duhet të lejojmë që të kenë mundësi t’ua japin, duke bërë interpretime abuzive të hapësirës së sotme që ka Kodi Penal”.

Sipas kryeministrit ka një punë të nisur për rishkrimin tërësor të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, por që do të kërkojë kohë. Por kohë nuk ka nënvizoi shefi i qeverisë, i cili renditi dëmet që po i vijnë mjekëve, futbollit e në veçanti Policisë së Shtetit nga goditjet e atyre që ai i quan barbarë.

“Barbarëve që kujtojnë se të hedhësh gurë mbi Policinë e Shtetit, në emër të Partisë që të ka nxjerrë në rrugë, është trimëri. “Lironi djemtë tanë” bërtet partia e endacakëve të rrugës që vjen vërdallë, pasi midis dy seancave të Parlamentit mbush veshët e shqiptarëve me paralajmërimin që këtë herë do të ndodhi ajo që duhet të ndodhi. Nuk do të ndodhi asgjë tjetër, përveçse ata do të shkojnë duke u rrudhur dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë detyrën që na kanë dhënë”.

Të njëjtin emërtim i vendos edhe deputetëve që i turren foltores.

“Barbarëve edhe këtu në Parlament, jo për sot, jo për mua, jo për ne, por përgjithmonë, nuk mundet deputeti të këtë imunitet në Parlament për të goditur fizikisht deputetin. Nuk mundet deputeti të ketë imunitet në Parlament për t’iu turrur foltores apo tryezës së qeverisë fizikisht. Edhe kjo duhet të përfshihet në Kodin Penal. Nuk është e mundur të vazhdohet më kështu”.

Gjoba është e pallogaritshme përballë këtyre rasteve, masat ndëshkuese duhet të jenë shumë të ashpra paralajmëroi kryeministri Rama./abcnews.al