Ish-kryetari i PD Lulzim Basha ka mbërritur në Kuvend për të marrë pjesë në seancën plenare. Në daljen e tij të parë për mediat pas dorëheqjes nga posti i kryetarit të PD, Basha shpjegoi dhe arsyet se përse nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar të PD që u zhvillua një orë përpara nisjes së seancës plenare. Basha tha se nuk ishte i pranishëm në mbledhje pasi ka vendosur që çdo forum i PD të ketë mundësinë të marrë vendimmarrje lirisht si dhe për faktin se kishte gjasa që mbledhja të degradonte në një konfrontim.
Megjithatë ai u shpreh se do të marrë pjesë në mbledhjet e grupit parlamentar për t’i shërbyer atij dhe jo presionit. Ish-kryetari i PD-së tha se po punon dhe do të punojë për një parti të bashkuar rreth vlerave dhe që të jetë alternativë për njerëzit.
“Unë do punoj që PD të jetë alternativë për njerëzit. Që të jetë do të thotë të punojë për njerëzit dhe të kalojë interesat personale. Unë nuk heq dorë nga përgjegjësia ime ndaj demokratëve dhe shqiptarëve. Do punoj që një PD e bashkuar të kthehet në shpresë për njerëzit. Një nga arsyet e aktit tim ka qenë tejkalimi interesave personale për ti dhënë mundësinë çdo forumi të PD dhe demokratëve të kenë mundësinë të vendosin lirisht. Prandaj nuk mora pjesë në një mbledhje e cila kishte të gjitha gjasat që do degradonte në një konfrontim. Grupi ka nevojë për bashkim dhe jo përçarje. Unë kam bërë dhe do bëj gjithçka që PD të bashkohet”.
Në mbledhjen e grupit të PD kanë marrë pjesë edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetët e tjerë që janë përjashtuar nga grupi parlamentar.
Pyetje-përgjigje:
A është PD më e bashkuar ashtu siç pretenduat pasi dhatë dorëheqjen?
Lulzim Basha: Ajo që dua t’ju them është që po punoj dhe do punoj për një PD të bashkuar rreth vlerave që të jetë alternativë për njerëzit. Që të jetë alternativë për njerëzit do të thotë të punojë për njerëzit, të tejkalojë interesat personale për të cilat kam vendosur marrë vendimin që jeni të njohur të gjithë, atë të dorëheqjes nga kryetari i Partisë Demokratike. Por jo të heq dorë nga përgjegjësia ime ndaj demokratëve dhe shqiptarëve. PD duhet të kthehet në alternativë dhe shpresë për njerëzit. Unë do të punoj ditë përditë që një PD të kthehet në shpresë dhe alternativë për njerëzit, alternativë që nuk mund të jetë në kundërthënie me aleatët tanë strategjikë, pa ndihmën e të cilëve nuk do të kishim arritur asgjë këto 30 vite.
Do të merrni pjesë në mbledhjet e grupit parlamentar të PD?
Lulzim Basha: Sa herë që t’i shërbej grupit parlamentar të PD dhe jo kur i shërben presionit të drejtpërdrejtë apo indirekt sepse një nga arsyet e aktit tim ka qenë ka qenë tejkalimi i interesave personale për t’i dhënë mundësinë çdo forumi të PD dhe demokratëve që të kenë mundësinë lirisht të vendosin dhe jo nën presion. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse sot për t’i dhënë mundësinë për të diskutuar lirisht dhe jo ashtu siç ndodhi vendosa të mos isha i pranishëm në një mbledhje që u paralajmërua që dje që kishte të gjitha gjasat të përfundonte në një konfrontim dhe jo në një mbledhje të frytshme për të cilën ka nevojë grupi parlamentar dhe për një frymë bashkimi rreth vlerave dhe jo përçarje.
Si e shihni rikthimin e Berishës në forumet e PD përfshirë dhe grupin parlamentar?
Lulzim Basha: Siç ju thashë kam bërë dhe do të bëj gjithçka që PD të bashkohet rreth vlerave për të cilat është krijuar. Një nga vlerat themelore është orientimi euroatlantik. Në bazë të këtyre vlerave kam marrë vendimet e mia dhe përgjegjësitë e mira. E kam të qartë rrugën që duhet të përshkrojë PD për t’u kthyer në alternativë për njerëzit dhe do të punoj pa reshtur për këtë rrugë. Ujërat mund të jenë akoma të turbullta, por do të qartësohen
be.k/abcnews.al


