A do e votojë zgjatjen e vetingut? Shehi për ndarjen në PD: “Divorc” me tenxhere dhe kusi

schedule20:10 - 9 Shkurt, 2022

schedule 20:10 - 9 Shkurt, 2022

Një ditë para votimit në Kuvend të propozimit të maxhorancës për zgjatjen e afatit të organeve të vetingut, kreu i LZHK Dashamir Shehi tha në Radarin Informativ se për të arritur në vendim, duhet debat publik. Ai tha se nuk është as pro as kundër sa i përket votës së tij por do të shikojë nesër në Kuvend si do të vazhdojë debati.

“Unë kam frikë se kanë gjetur një lloj ekuilibri. Këto mbajnë ata që duhet. Heqin atë që duhet. Në fund të fundit në drejtësi nuk kanë shkuar punët kaq bukur. Nuk jam as te Jo as te Po. Jam te logjika. Ky proces nuk mund të bëhet pa debat publik. Do të shikojmë nesër debatin si do vazhdojë. Se çfarë ofertash do bëhen.  I drejtohem kolegëve opozitarë a bini dakord ju të ndryshojmë ligjin. Nëse i bëjnë fshehtas janë pazare. Nëse i bëjnë publikisht se kush janë interesat, unë do vija të parin ligjin për reformën territoriale. Me këtë ligj që ka bërë Edi Rama fiton po Edi Rama, ose i vjedh po Edi Rama. A do bëhet një ligj të shkojmë në zgjedhje. Meqë afektojnë të treja këto gjëra kushtetutën”, tha Shehi.

Sa i takon ndarjes së PD për zgjedhjet lokale ai tha se duhej gjetur një mënyrë më e fisshme për të hyrë në këtë proces zgjedhor pasi në këtë mënyrë sipas tij dëmtohen kandidatët dhe favorizohet Rama.

“Si njeri i vjetër i të djathtës në Shqipëri nuk më vjen mirë për këtë koalicion sepse mund të ishte gjetur një mënyrë më e fisshme. Këto gjëra patën në dorë dhe këto bënë. Unë i paragjykoj pse nuk u gjet një formulë që kandidatët të merrnin pëlqimin e dy palëve. Kjo do ta dëmtojë. Ata djemtë që janë në garë i respektoj të gjithë. Dhe janë alamet djemsh. Por tani janë në një luftë pa shumë rregulla dhe nuk dihet kush është kundërshtari. Nga kjo luftë pa shumë principe do përfitojnë ata që janë në pushtet. Me gjuhën që është përdorur praktikisht PD është ndarë. Ke parë kur divorcohet një çift. Nëse ti zihesh me tenxhere dhe kusia mbetet që gjykata të bëjë ndarjen”, nënvizoi Shehi.

Shehi tha se si Basha dhe Berisha kanë dërguar njerëz tek ai dhe partitë e tjera aleatë për të arritur marrëveshje por formula e tyre ka qenë kundër bindjes së tij për një opozitë të bashkuar ndaj ka zgjedhur t’u “mbyllë” derën të dyja palëve.

“Berisha ka dërguar disa njerëz te ne. Edhe ai tjetri. Të gjithë një punë po bëjnë. Një palë ka thënë hajde me nje, pala tjertër hajde me ne. Unë kam 6 muaj që e kam thënë kjo nuk është rruga për të ringritur opozitën. Basha me 26 Prill duhet të na thërriste dhe të na thoshte Faleminderit u mundova për mirë. Pastaj ndodhën këto që ndodhën dhe i kanë hyrë kësaj historie.

I konsideroj kolegë por nuk është kjo mënyra për të ngritur opozitën. Unë e quaj luftë për pushte këtë. Në këtë lloj beteje që kanë hyrë, në këtë lloj sherri, me këtë gjuhë që po përdorin. Ajo që thotë Basha nuk është argument pasi mundet që ata të Berishës të jenë në numër më shumë se ata të Bashës. Nuk është rruga kjo për të ngritur opozitën. unë do i them atyre që janë brenda dhe jashtë PD, që ndjejnë më shumë barrën e Edi Ramës në shpinë, hajde të gjejmë disa forma të tjera. Të vëmë përpara një gjeneratë që është më e çliruar nga sherri dhe opozita brenda 6 muajsh do ketë fytyrë tjetër”, u shpreh ai. /abcnews.al