Dhunoi një qytetar pas “Festës së Verës”, pezullohet pas tre muajsh polici në Pogradec

schedule22:50 - 12 Janar, 2022

schedule 22:50 - 12 Janar, 2022

Një punonjës policie në Pogradec është pezulluar nga policia pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj një qytetari me datë 3 Tetor të vitit të kaluar. Elton Muço ka bërë denoncim në polici por nga ana e prokurorit është marrë vendim për të mos nisur hetimet. Më pas ai ka bërë një denoncim në emisionin “Stop”, dhe pas transmetimit të programit mbrëmjen e sotme punonjësi i policisë është pezulluar.

“Në lidhje me rastin e transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, ku një qytetar pretendonte se ndaj tij, punonjësit e Komisariatit të Policisë Pogradec, kishin ushtruar dhunë fizike ju informojmë se: Më datë 03.10.2021, në ambientet e Komisariatit, është shoqëruar nga punonjësit e patrullës së përgjithshme shtetasi E. M., banues në fshatin Trebinjë, Pogradec, pasi gjatë “Festës së Verës”, në Pogradec, në gjendje të dehur, ky shtetas kishte prishur qetësinë publike. Pasi është intervistuar nga ndihmës/specialisti i Policimit në Komunitet, shtetasi E.M., është lënë i lirë.

Më pas shtetasi E.M., ka bërë kallëzim pranë Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, në Korçë, se dy punonjësit e policisë të patrullës së përgjithshme në Pogradec, kishin ushtruar dhunë fizike ndaj tij. Pas kryerjes së veprimeve procedurale, materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, ku nga ana e prokurorit të çështjes, është marrë vendimi për mosfillimin e procedimit.

Pas transmetimit të emisionit mbrëmjen e sotme, ndaj punonjësit të policisë G.H., është marrë masa e pezullimit nga detyra. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për të nisur menjëherë hetimin disiplinor për shkelje të rëndë.

Policia e Shtetit falenderon mediat për bashkëpunimin dhe fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të ligjit apo veprim arbitrar të punonjësve të policisë duke garantuar paanshmëri dhe reagim të menjëhershëm e profesional”, njofton policia.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!