“Open Balkan” është një iniciativë që nuk ka gjetur mbështetjen e opozitës dhe së fundmi edhe grupi i ish-kryeministrit Sali Berisha organizoi një protestë kundër vizitës së presidentit serb Aleksander Vuçiç në Tiranë në kuadër të kësaj nisme.
Kryeministri Edi Rama është akuzuar se nuk është konsultuar për marrjen e kësaj iniciative në politikë e jashtme, por ministrja për Shtetin dhe Parlamentin Elisa Spiropali thekson të kundërtën. Sipas saj, janë konsultuar të gjitha palët, përfshirë këtu edhe ndërkombëtarët nga amerikanët tek ata të Bashkimit Evropian.
“Duhet të jenë të gjitha vendet, ftesa është e vazhdueshme, SHBA e ka mbështetur nismën, me përdorim politik të patriotizmit për të luftuar kundërshtarin është vizion afatshkurtër dhe i mangët.”
Spiropali u ndal edhe te protesta e Berishës, për të cilin tha se i ngriti qytetarët përpara kryeministrisë për “hallin e tij personal.”
“Nuk e duan Shqipërinë më shumë ata e më pak ne. Të bësh një protestë në rrugë, se ke hall personal e të bësh një shfaqje të pavend e të turpshme…”
E pyetur nga diplomati Agim Nesho se përse qeveria nuk konsultohet me Presidentin, Spiropali tha se ky i fundit është i shkarkuar nga parlamenti.
“Presidenti është i shkarkuar nga parlamenti, mund ta konsultojmë edhe me të për sa kohë nuk anagazhohet në retorikë fyesë apo përçarëse. Open Balkan, është diskuar me partnerët me BE, në çdo takim, me partenrët amerikanë, me përfaqësues të DASH që vijnë këtu…” /abcnews.al/