Zyrtare, Ernest Gjoka firmos me Shkëndijën

schedule12:59 - 8 Tetor, 2019

schedule 12:59 - 8 Tetor, 2019

Ernest Gjoka ka firmosur me Shkëndijën e Tetovës. Trajneri i mirënjohur, i ftuar në emisionin “Pressing” në ABC News një ditë më parë, nuk dëshiroi të nxitohej. E gjitha pasi nuk kishte akoma firmë mbi kontratën e ofruar nga klubi tetovar.

Tanimë nuk mund të ketë më asnjë mëdyshje, pasi Gjoka edhe ka nënshkruar sot. Shkëndija i kishte nisur kontaktet me ish-trajnerin e Kukësit që para se të largohej Qatip Osmani. Me largimin e tij pati një “stepje”, por ditët e fundit Gjoka u kontaktua sërish.

Gjoka në momentin e hedhjes së firmës

Marrëveshja u arrit dhe tekniku do të nisë një eksperiencë të re në Maqedoninë e Veriut. Në të shkuarën Gjoka ka drejtuar skuadra si Apolonia, Kamza, Vllaznia, Flamurtari dhe Kukësi. Me verilindorët ka arritur të fitojë titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë, suksese të rëndësishme këto për atë si trajner dhe për klubin e Kukësit.

Edhe te Shkëndija e Tetovës objektivi do të jetë titulli kampion. Kuqezinjtë kanë triumfuar në dy vitet e fundit dhe duan të mbrojnë trofeun. Gjithashtu synohet një ecuri pozitive në kupat e Europës, që fillimisht duhen arritur. Shkëndija lojtarët i ka, ndaj edhe Gjoka e ka pranuar këtë sfidë me kënaqësi. /abcnews.al