Siç thuhet në këto raste, futbolli del në plan të dytë. Kështu ndodhi në derbin e madh të Superligës së Turqisë, mes Gallatasarajit dhe Fenerbahçes, që përfundoi në një turp të madh.
Futbollistët e dy skuadrave u përfshinë në një sherr masiv, menjëherë pasi arbitri vërshëlleu mbylljen e përballjes në stadiumin “Rams Park” të Stambollit. Po flasim për atë që cilësohet si “Derbi interkontinental”, pasi Gallata është në pjesën europiane të ish-kryeqytetit perandorak, ndërsa Feneri në atë aziatike.
Fillimisht pati një debat me fjalë mes lojtarit të miqve, Akturkoglu, dhe hungarezit të vendasve, Roland Shalai. Më pas, Arçi Braun I Fenerbahçes u përlesh me kapitenin Abdulkerim Bardakçi të Gallatës, në duelin që kampionët e fituan 2-1.
Ata madje u rrëzuan përtokë duke u kacafytur, dhe kjo në sytë e lojtarëve të tjerë. Më pas, sherri u bë I përgjithshëm, dhe ndërhynë pjesëtarë të stafeve teknike për të ndarë, madje edhe Bardakçi u përpoq të shuante zemërimin.
Për fat të mirë ylli I Kosovës, Vedat Muriqi, nuk pati probleme. Acarimet kishin qenë edhe gjatë ndeshjes, kur Lukaku dhe Bardakçi u përplasën në lojë e sipër, dhe lojtarë të të dyja skuadrave ndërhynë.
Dy kartonë të kuq u dhanë në fund, ndërsa Gallatasaraj fitoi me dy gola nga sulmuesi nigerian Viktor Osimhen në minutat 29 e 44. Fenerbahçe shkurtoi diferencën në 62’ me anë të turkut Kavexhi, por rrjetë tjetër nuk pati.
Skuadra verdhekuqe, kampionë në fuqi e Turqisë, e meritoi fitoren duke luajtur mjaft më mirë, dhe mban kreun e renditjes me 22 pikë, ndaj 20 të rivalit modest, Amed, që drejtohet nga ish-kapiteni I kombëtares shqiptare, Besnik Hasi./abcnews.al


