I pyetur për Zvërnecin, Presidenti i Këshillit të Evropës, Antonio Costa tha se BE nuk kishte një qëndrim, apo paqartësi, por garantoi se Komisioni Europian ka filluar informimin mbi çështjen, dhe nëse do të ketë pyetje do ia bëjë qeverisë shqiptare.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Costa u shpreh se KE do bëjë pyetje lidhur me investimin në Zvërnec, nëse do të ketë të tilla.
“Nuk është se unë mund të flas për ndonjë projekt të veçantë ose specifik, por Komisioni Europian është në kontakt me autoritetet shqiptare, po dëgjon shoqërinë civile dhe nëse do të ketë pyetje, do t’i bëjë” tha ai.
Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se investimi është privat dhe se transparenca bëhet kur projekti futet në fazën për t’u miratuar.
“Transparencën për një projekt, e kemi detyrë të përbashkët ne. E ka për detyrë qeveria dhe ju ta bëni. Ky është projekt privat, për të cilin nuk ka projekt akoma, i cili ka nisur me bazën e një marrëdhënie private. Kointrata private në Shqipëri bëhen shumë, privatët nuk kanë pse japin llogari kur blejnë një tokë. Transparenca bëhet kur projekti futet në fazën për t’u miratuar. Sa i takon qeverisë, nuk kemi projekt. Kemi një proces. Çfarë transparence duhet të bëjë qeveria në këtë rast? Ju mund të pyesni dhe të merrni përgjigje. Jo të hidhni hije dhe baltë mbi investitorë, që disa nga ata që na luftojnë kundër saj, do donin t’i kishin për vete. Porto of Montenegro do ndërtohej këtu, Porto of Durazzo, investitori kanadez ka qenë këtu, nuk ka gjetur dashamirësi, por berberë me gërshërë në dorë, për të prerë biletat. Mikpritja ndaj investitorëve duhet të jetë fiksim, janë preja për të cilat luftojnë të gjitha vendet. Nuk është investim strategjik, nuk ka bërë kërkesë. Do sjellin 4 miliardë më e mirë, edhe pronari yut do e deklarojë rrogën që të jep ty dhe të tjerëve. Kjo ka dy vjet që është publikuar. Ky është projekt privat.” u shpreh Rama.



