Gjermani – Autoritetet e qytetit gjerman të Monsaut, pranë kufirit me Belgjikën, u kanë bërë thirrje banorëve të zonave pranë kufirit të evakuohen për shkak të një zjarri masiv pyjor që po përhapet në territorin belg dhe po i afrohet Gjermanisë.
Sipas bashkisë së Monsaut, fronti i zjarrit ndodhet rreth 1.5 kilometra nga kufiri gjerman dhe 1.8 kilometra nga zona më e afërt e banuar. Autoritetet paralajmërojnë se, edhe nëse flakët nuk kalojnë kufirin, tymi mund të shkaktojë ndotje të konsiderueshme të ajrit.
Zjarrfikësit kanë punuar gjatë gjithë natës për të vënë nën kontroll flakët, të cilat shpërthyen të premten në mesditë në parkun natyror malor Fagnes, në Belgjinë lindore. Autoritetet lokale e kanë cilësuar ngjarjen si një nga zjarret më të mëdha pyjore të regjistruara në Belgjikë.
Sipas autoriteteve, zjarri ka përfshirë rreth 30 mijë hektarë tokë dhe po përparon në drejtim të territorit gjerman.
Bashkia e Monsaut, një qytet me rreth 12 mijë banorë, u ka rekomanduar banorëve të zonave më pranë kufirit të largohen përkohësisht nga këto zona, për shkak të rrezikut nga zjarri dhe, veçanërisht, nga tymi.
Ndërkohë, autoritetet belge kanë urdhëruar evakuimin e qytetit Kuchelscheid, i cili ndodhet rreth 10 minuta me makinë nga Monsau.
Situata mbetet nën monitorim, ndërsa ekipet e emergjencave në të dyja anët e kufirit po përpiqen të frenojnë përhapjen e zjarrit.


