PRISHTINË- Pas votimit në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, jashtë territorit të saj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka bërë përgatitjet e fundit për procesin e votimit për të dielën.
Gazetarja e ABC News, Habi Hoxha, nga Prishtina, raportoi se gjithçka është bërë gati për të nisur të dielën në mëngjes procesi i votimit.
“Të gjitha përgatitjet janë mbyllur dhe KQZ është gati për të filluar maratonën e votimit”, tha ajo.
Ajo theksoi se në takimin përmbyllës të Partisë Demokratike të Kosovës simpatizantët dhe qytetarët kanë shpalosur flamujt të UÇK-së si dhe përmes fotove kanë bërë pjesë të tubimit të tyre ish-drejtuesit e UÇK-së, si Hashim Thaçi e Kadri Veseli, të cilët mbahen në Hagë prej shumë vitesh.
Më 11 janar, në Kosovë filloi fushata zgjedhore, e cila zgjat deri në orët e para të mëngjesit të 9 shkurtit, para nisjes së votimit në orën 07:00. Për këto zgjedhje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar 28 subjekte politike me 1 280 kandidatë.
Numri i përgjithshëm i votuesve është 2.075.868, prej të cilëve 104.924 janë regjistruar për votim jashtë vendit./abcnews.al