Zgjedhjet e 30 Qershorit, raporti i OSBE/ODIHR: Armiqësia politike PD-PS minoi procesin

schedule21:50 - 4 Shtator, 2019

schedule 21:50 - 4 Shtator, 2019

Armiqësia politike, mungesa e reformës elektorale dhe pasiguria ligjore ishin disa nga aspektet që dëmtuan zgjedhjet vendore të 30 Qershorit. Kështu thotë raporti i misionit të OSBE/ODIHR, i cili mes të tjerash vë në dukje se procesi elektoral u karakterizua gjithashtu nga parregullsi në kontrollin e votuesve dhe me pengim të procesit të vëzhgimit.

Zgjedhjet vendore të 30 Qershorit u mbajtën në një situatë të rëndë politike dhe institucionale, që rridhte nga armiqësia e tejzgjatur mes Partisë Socialiste në pushtet dhe asaj Demokratike në opozitë.

Kështu vlerëson raporti i OSBE/ODIHR, sipas të cilit pasiguria ligjore dhe përballja mes institucioneve minoi besimin publik tek procesi dhe legjitimitetin e tij. Raporti vë në dukje se si disa ditë përpara zgjedhjeve, protestuesit e opozitës në disa zona të vendit sulmuan administratën elektorale, duke përdorur akte dhune dhe në disa raste zjarrvënie.

Gjithashtu, më e rëndësishme, mungesa e një marrëveshjeje politike pengoi progresin e reformës elektorale, duke lënë shumicën e rekomandimeve të ODIHR-it të paplotësuara, përfshirë këtu ato që kanë të bëjnë me depolitizimin e administratës elektorale, transparencën e financave të fushatës dhe efikasitetin e zgjidhjes së kontesteve.

Gjithashtu, vijon raporti, balanca e rekomanduar politike në administratën elektorale nuk u arrit pjesërisht për shkak të vendimit të partive të opozitës për të mos emëruar komisionerë dhe qëndrimit të KQZ-së se vetëm partitë që merrnin pjesë në garë mund të kishin përfaqësues. Raporti kritikon KQZ-në se interpretoi ligjin në mënyrë të paqëndrueshme dhe në vija të përgjithshme.

Nga ana tjetër, votuesit nuk patën shumë alternativa për shkak të bojkotit politik nga partitë e opozitës. Transparenca e eventeve të fushatës elektorale është një tjetër aspekt që preket në raportin e ODIHR-it, ku thuhet se ajo ishte e ulët, me përjashtim të mitingjeve të kryeministrit, ku ai ishte folësi kryesor.

Edhe praktika e ndjekur nga Partia Socialiste, që u dërgonte mediave kronika të gatshme minoi informimin real të qytetarëve. Gjithashtu, votuesit jo gjithmonë u kontrolluan për gjurmën e bojës, një praktikë kjo e konstatuar në 21 për qind të procesit të vëzhgimit dhe jo gjithmonë u ngjyrosën me bojë përpara se të hidhnin votën në kuti.

Votimi familjar dhe ai në grup ishte një tjetër problem, i konstatuar në kuotat e 10 dhe 2 për qind të procesit të vëzhgimit. Gjithashtu, nënvizon raporti, firma thuajse identike dhe përpjekje për të influencuar votuesit u konstatuan në 3 për qind të rasteve.

Ndërsa në 16 për qind ekspertët e huaj vunë re të njëjtin person që u rekomandonte shumë qytetarëve se si të votonin. Në përfundim, raporti rekomandon kryerjen e reformës zgjedhore në Shqipëri sipas linjave të OSBE-së dhe kritereve të institucioneve të tjera ndërkombëtare për të plotësuar standardet për zgjedhje demokratike.

Gjithashtu, ai u bën thirrje agjencive ligzbatuese që të hetojnë të gjitha dyshimet për shkelje elektorale në mënyrë tërësore, të shpejtë dhe transparente.

/ABC News Albania 24/7