Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Rekord shqetësues i temperaturave globale, gjashtë ditë radhazi mbi 2 gradë Celsius krahasuar me periudhën para-industriale

schedule19:55 - 25 Nëntor, 2026

schedule 19:55 - 25 Nëntor, 2026

Për herë të parë në historinë e regjistrimeve klimatike, temperaturat mesatare globale kanë qëndruar për gjashtë ditë radhazi të paktën 2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, duke shënuar një rekord të ri dhe duke shtuar shqetësimet për përshpejtimin e ngrohjes globale.

Sipas të dhënave të publikuara, temperatura mesatare ditore e sipërfaqes së Tokës arriti në 2.24 gradë Celsius mbi mesataren e periudhës 1850-1900, të hënën, më 23 nëntor. Kjo është vlera më e lartë e regjistruar deri më tani. Parashikimet tregojnë se temperaturat mund të qëndrojnë në nivele të ngjashme edhe për disa ditë të tjera.

Siç raporton gazeta britanike “The Guardian”, më parë janë regjistruar vetëm dy periudha kur temperaturat ditore kanë kaluar pragun prej 2 gradësh: në nëntor 2023 dhe shkurt 2024. Megjithatë, këto episode nuk kanë zgjatur kaq shumë dhe nuk kanë arritur nivelet e tanishme. Rekordi i mëparshëm, i shënuar në vitin 2023, ishte 2.05 gradë Celsius mbi mesataren para-industriale.



Shkencëtarët theksojnë se gjashtë ditët mbi këtë prag nuk nënkuptojnë se objektivi afatgjatë i Marrëveshjes së Parisit është tejkaluar. Megjithatë, ky zhvillim shihet si një sinjal paralajmërues për pasojat që mund të sjellë vazhdimi i emetimeve të gazrave serrë dhe përdorimi i lëndëve djegëse fosile.

Rritja e temperaturave lidhet kryesisht me ngrohjen globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, veçanërisht djegia e karburanteve fosile. Një tjetër faktor është edhe fenomeni klimatik El Niño, i cili aktualisht po arrin kulmin dhe ndikimet e të cilit pritet të ndihen gjatë pjesës më të madhe të vitit 2027.

Pasojat e temperaturave të larta po shfaqen tashmë në formën e thatësirave dhe zjarreve në pyjet tropikale, përfshirë ato në Indonezi dhe në Amazonë. Këto fenomene krijojnë një cikël përkeqësues, duke shtuar presionin mbi ekosistemet dhe duke thelluar krizën klimatike.

Në vitin 2015, në kuadër të samitit të Kombeve të Bashkuara për klimën në Paris, afro 200 vende nënshkruan një marrëveshje historike, përmes së cilës u angazhuan të kufizojnë rritjen e temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius dhe ta mbajnë atë ndjeshëm nën 2 gradë Celsius, krahasuar me nivelet para-industriale.

Rekordi i fundit është një tjetër tregues i presionit në rritje mbi klimën e planetit dhe i nevojës për uljen e shpejtë të emetimeve që shkaktojnë ngrohjen globale.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!