Një vatër zjarri është regjistruar në një zonë malore mes fshatrave Golem dhe Progonat, në një terren tejet të vështirë për ndërhyrje. Zjarri është izoluar dhe më pas është shuar plotësisht falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimit zjarrfikës.
Sipas informacionit të përcjellë nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), pas sinjalizimit për një vatër zjarri në kufirin ndërmjet dy fshatrave, drejt vendngjarjes u nis menjëherë një grup i shërbimit zjarrfikës.
Me mbërritjen në terren, efektivët konstatuan se zjarri ndodhej në majë të malit, në zonën kufitare mes Golemit dhe Progonatit. Terreni i thyer dhe vështirësitë në akses e bënë ndërhyrjen veçanërisht të vështirë.
Pavarësisht kushteve, falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe punës së efektivëve zjarrfikës, u bë i mundur fillimisht izolimi i vatrës dhe më pas shuarja e plotë e zjarrit, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Nga zjarri u përshkua një sipërfaqe prej rreth 3 hektarësh, kryesisht me bimësi të ulët, shkurre dhe barishte.
Shërbimi zjarrfikës vijon të qëndrojë në vendngjarje për monitorimin e territorit dhe për të shmangur çdo mundësi të riaktivizimit të zjarrit.


