Për më shumë se 10 vite, pesha mbi 100 kilogramë ishte kthyer në një betejë të përditshme për 36-vjeçaren Ana Ibra nga Elbasani. Që në fëmijëri kishte vuajtur nga mbipesha, por asnjëherë nuk e kishte imagjinuar se një ditë peshorja do t’i tregonte shifrën tronditëse: 134 kilogramë!
Ishte janari i këtij viti kur Ana vendosi të përballej me frikën dhe të ndryshonte jetën e saj. Pas shumë përpjekjesh dhe zhgënjimesh, këtë herë sfida mori një tjetër kuptim. Ishte nëna e saj ajo që i dha shtysën vendimtare, me një mesazh që nuk do ta harronte.
Por si nisi transformimi? Dy kafshata bukë në vakt, heqja dorë nga sheqeri dhe deri në tre orë ecje në ditë u kthyen në rutinën e saj. Madje, për t’i rezistuar tundimit, i kërkoi bashkëshortit t’ia mbyllte frigoriferin me çelës!
Pas tre muajsh, ndryshimet në trup ishin të dukshme, ndërsa sot Ana peshon 85 kilogramë, duke lënë pas gati 50 kilogramë nga pesha e saj maksimale. Por pas kësaj historie që në rrjetet sociale mund të duket si një transformim i pabesueshëm, fshihet edhe një betejë me vetëbesimin, paragjykimet dhe marrëdhënien me trupin.
Si ia doli të ndryshonte jetën? Çfarë sakrificash bëri dhe a ishte gjithçka vetëm çështje vullneti? Ana Ibra rrëfen historinë e saj, por edhe çmimin që ka pasur ky transformim./abcnews.al



