“Vdekje” në kohë virusi, shqiptarët ndryshojnë mënyrën e zhvillimit të ceremonive të varrimit

schedule11:24 - 17 Mars, 2020

schedule 11:24 - 17 Mars, 2020

Shqipëria ditët e fundit po përballet me një situatë të pazakontë për shkak panikut për përhapjen e koronavirusit në vendin tonë, ku deri më tani janë konfirmuar 51 raste të prekur dhe një person që ka ndërruar jetë në Durrës. Qeveria në kuadër të mbrojtjes nga përhapja e COVID19 ka marrë masa ekstreme duke pezulluar  lëvizjen e lirë në të gjithë vendin, ka mbyllur kufinjtë tokësorë me të gjithë dhe anuluar disa fluturime ajrore. Pjesë e këtyre masave ekstreme janë bërë dhe zhvillimi i ceremonive të ndryshme gëzimi ose hidhërimi në vendin tonë.

Përcjellja për në banesën e fundit është një masë e shtuar në vendin tonë që ka bërë që tashmë këto ceremoni të jenë të kufizuara në pjesëmarrje dhe në kohëzgjarje.

Gazetari Juxhin Mustafaraj raporton për ABC News se pas një kontakti me disa agjensi funerale ka mësuar se tashmë ka një formatim të ri në lidhje me masat e marra dhe nga vetë familjarët në kuadër të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Ka një formatim për mënyrën se si bëhet përcjellja për në banesën e fundit e atyre personave që ndërrojnë jetë në këto ditë vetëizolimi. Makinat e vetme janë, ajo e agjensisë funerale dhe një ose dy mjete shoqëruese që janë familjarët më të afërt për të cilët duhet të jenë të pajisur me certifikatën e vdekjes së personit, dhe ceremonia nuk  zgjat më shumë se 60 minuta nga shtëpia dhe deri në përcjelljen e tij përfundimtare në varresa. Janë të ndaluar ritualet që shqiptarët e kanë zakon që grumbullohen në një drekë apo në ceremonitë e ditëve të tjera nuk po zhvillohen”,  raporton gazetari i ABC News.

Gjithashtu nga kontakti me përfaqësues të agjensisë funerale mësohet se dhe në banesat ku ndodhin fatkeqësitë ceremonitë zhvillohet në mënyrë të kufizuar dhe numri i personave që ngushullojnë familjarët është i pakët. /abcnews.al